Ka mbrëmje në të cilat tifozët e Milanit ankohen për mungesën totale të Leaos, kur në vend të Rafës janë në fakt dy: një te kuqezinjtë dhe një për kombëtaren portugeze.
Me Milanin ai është ende nën pritshmëri, vetëm një gol në kampionat në shtatë paraqitje dhe asnjë moment të veçantë në Ligën e Kampionëve. Me Portugalinë një histori krejt tjetër: një asistim dhe një paraqitje bindëse në ndeshjen e parafundit kundër Polonisë, gjysmë ore cilësore si zëvendësues kundër Skocisë. Në Milano, Rafa përpiqet të ndizet, dhe nëse ndodh, e bën këtë me ndërprerje; me kombëtaren shkëlqen me dritën e tij pavarësisht afërsisë së yllit Kristiano Ronaldo.
Me Milanin ai shënoi kundër Lazios, pasi e nisi në pankinë, më pas pati katër asistime dhe një shirit kapiteni kundër Leçes. Kontributi në fushë, sidoqoftë, ishte tepër modest, si për gola e asistime, ashtu edhe për pjesëmarrje në lojë dhe bujari. Në kombëtare, Rafa është më i mprehtë, edhe me më pak kohë në dispozicion. Për më tepër, me luzitanët ai jep shpesh idenë për të qenë më i gatshëm të sakrifikohet për grupin, diçka që te kuqezinjtë nuk ndodh e që shpesh e kthen në shënjestër kritikash.
BESIM – Rafa merr pjesë në lojën e trajnerit Martinez, ashtu siç do të donte Fonseka te Milani. Në kombëtare e bën, te kuqezinjtë ndonjëherë po, ndonjëherë jo. A qëndron vërtet ndryshimi në kreun e pankinës? Nisur nga fjalët e Leaos, duke folur pas barazimit pa gola me Skocinë, do të dukej kështu: “Martinez më kërkon thellësi dhe të ndërmarr duele një kundër një. Kështu jap më të mirën. Në thelb, luaj lojën time për të krijuar mundësi. Unë ndihem në nivelin më të lartë në ekipin kombëtar, ndjej mbështetjen e të gjithëve”.
Me nënvizimin “këtu kam besimin e të gjithëve”, duket se dëshiron të dallojë çfarë ndodh në Milano dhe çfarë ndodh në Portugali. Rafa nuk dha më shumë detaje, madje as Milani nuk kërkoi ndonjë shpjegim të veçantë: pasi u kthye në qytet të mërkurën, numri 10 dje iu bashkua shokëve në stërvitje. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, klubi nuk u befasua nga fjalët e Leaos (as Fonseka nuk u ndje i sulmuar). Madje as e akuzon për ndonjë faj të rëndë.
Përkundrazi, besimi që ka tek lojtari i tij është të paktën po aq i madh sa në fillim të sezonit. Nga ana e tij Leao e di që ka admirimin e bashkëkombësit në pankinë pasi ka munguar mes titullarëve vetëm në një rast, në ndeshjen jashtë fushe kundër Lacios, ndeshje ku shënoi edhe atë që është golin i tij i vetëm në këtë sezon. Si për të vërtetuar raportin mes tyre, Fonseka mund t’i besojë edhe shiritin Leaos nesër kundër Udinezes.