Grupi i ekspertëve të diasporës akademike paraqiti planin zhvillimor për profilizimin e Universitetit të Korçës (UNIKO).
Korçë, 5 Tetor – Universiteti i Korçës (UNIKO) ka hyrë në një fazë të re transformimi sipas një plani zhvillimor për profilizimin dhe modernizimin e tij, i hartuar nga tre ekspertë, akademikë nga diaspora. Ky projekt ambicioz i MAS, me mbështetjen e AADF ka për synim ta kthejë universitetin në një qendër rajonale të ekselencës dhe kërkimit shkencor deri në vitin 2030.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në prezantimin e planit të zhvillimit dhe profilizimit të UNIKO, theksoi rëndësinë e tij e këtij plani në funksion të profilizimit dhe ndërkombëtarizimit të universitetit duke u bërë dhe një model dhe për universitetet e tjera rajonale.
“Sot hapim një faqe të re për Universitetin e Korçës. Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 të realizojmë të gjithë objektivat për zhvillimin e mëtejshëm të universitetit, pa i hequr asgjë vlerave ekzistuese, por duke i rritur ato përmes mbështetjes që qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të japin. Ne duam që të rivitalizojmë universitetet rajonale, me qëllim që strategjia “S3” (Smart Specialization Strategy) që shumë shpejt miratohet, e cila ka në fokus zhvillimin e ekosistemit të arsimit me fokus arsimin e lartë, përmban ato objektiva që sot i shohim të pasqyruara në këtë plan strategjik të UNIKO. Kështu, Universiteti i Korçës bëhet piloti i parë në transformimin e universiteteve rajonale në funksion të profilizimit dhe të ndërkombëtarizimit”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Prej një viti, tre akademikë të njohur shqiptarë nga diaspora, Dritan Agalliu (Ph.D. Columbia University), Mirjeta Beqiri (Ph.D. Gonzaga University), dhe Labtona Sado (Ph.D. Universita Roma Tre), kanë punuar për zhvillimin e planit të transformimit të Universitetit të Korçës. Ata theksuan se universiteti ka potencial të madh për të ofruar në fushat e bujqësisë, teknologjisë, turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Sipas tyre, për realizimin e këtij plani duhen ndjekur pesë pika kyçe: fuqizimi i njerëzve, rritja e cilësisë kërkimore, arsimi për të ardhmen e rajonit, ndërkombëtarizimi dhe zhvillimi i kërkimit ndërdisiplinor.
Ministrja Manastirliu tha se një model drejt zhvillimit dhe ndërkombëtarizimit është dhe ai i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
“Ne arritëm një marrëveshje fantastike me Universitetin Boku të Vjenës dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku i kemi mbështetur me 2 milion euro për planin e transformimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës nën udhëheqjen e Universitetit Boku të Vjenës. Është parashikuar të ketë jo vetëm shkëmbime të stafeve, studentëve, mbështetje për doktoraturat, për ciklin e dytë të studimeve Master, ku do të kemi bashkëudhëheqje me pedagogët e Universitetit Boku të Vjenës, dhe gjithashtu mbështetje për zhvillimin e njësive të kërkimit shkencor në këtë universitet. Pra, e kemi një model që mund ta aplikojmë edhe për Universitetin e Korçës”, tha Manastirliu.
Në vijim të përpjekjeve për të modernizuar sektorin e arsimit dhe kërkimit në Shqipëri, qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar bazën ligjore të kërkimit shkencor. Një nga nismat kryesore është projektligji i ri për shkencën dhe kërkimin shkencor, i cili synon të krijojë më shumë mundësi për investime në këtë fushë, si dhe të nxisë bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe zhvillimin e shkencës së hapur.
“Këtë javë do të miratojmë në Kuvend edhe ligjin e ri për shkencën dhe kërkimin shkencor, një tjetër dritare që hapet për investimet në shkencë dhe kërkimin shkencor dhe në shkencën e hapur. Ky ligj krijon instrumenta të reja ku do të kemi bashkëpunime mes sektorëve në funksion të kërkimit shkencor dhe shkencës së hapur”, deklaroi në fund Ministrja Manastirliu.