“Kjo sipërmarrje është një nga rrënjët e para të trungut të kësaj ekonomie në ditët e sotme dhe shumë faleminderit për mikpritjen. Faleminderit për këtë diskutim lidhur me këtë temë kyçe dhe me një detyrim madhor për ne si qeveri dhe për të gjithë ne së bashku si fëmijë prindërish, apo si gjyshër që sot janë në pension dhe me të drejtën për atë që sot kanë bërë, meritojnë jo thjesht respektin, por që askush mos t’i shmanget asaj që ata kanë bërë. Ne kemi detyrimin që jeta e tyre sot të jetë më e qetë dhe ata që ofrojnë punë në këtë vend, kanë detyrimin që çdo qindarkë që i takon pensionistëve ti shkoj atyre. Ky është një kusht që i takon çdokujt që merr një pagë, sepse nuk varet nga sjellja e personit që shkon të paguajë detyrimet në arkën e shtetit. Nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat.
Kemi një problem të madh me deklarimin e pagës reale dhe ne jemi shumë të vendosur që ta adresojmë. Dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen në presionin e masave administrative për grabitjen e pensioneve. Është një fjalë shumë e rëndë, është një turp shumë i madh, është një sjellje që ka marr statusin e vijës të sjelljes në shumë biznese me një mungesë përgjegjëshmëri, jam shumë i sigurt që kur dëgjojnë fjalën grabitje ndihen të fyer, por jam i bindur që përmes ekranit mund të përcjellim një apel për të gjithë ata që i përkasin kësaj fushe. Sepse në fund të ditës, ato para përsëri në masën më të madhe rikthehen në konsum dhe rigjenerojnë përmasa më të mëdha”.