“Caravan Horse Riding Albania” në Gjirokastër është sot një atraksion që tërheq turistë të shumtë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historinë e kësaj qendre kalërimi, një inisiativë e ngritur në 2011, por e lindur prej pasionit të Kristina Fidhit që prej fëmijërisë për kuajt dhe kalërimin në natyrë.
“Modeli “Caravan Horse Riding Albania” në Gjirokastër që lindi në një kohë të vështirë, por me dashuri të madhe është një atraksion e frymëzim për t’u besuar përvojave që Shqipëria ofron”, u shpreh Rama.
Drejtuesja e kësaj qendre tregon se ishte një iniciativë jo e lehtë dhe për kohën dukej gati një ide e çmendur, pasi ishte periudha kur në Gjirokastër kishte një apo dy hotele, ndërsa mungonin thuajse tërësisht vizitorët.
“Shpresa për kalorës ishte gati e çuditshme për kohën. Kemi bërë gati dy vite përpjekje për të vendosur kontakte ndërkombëtare. Në vitin e parë të punës kishim gjithsej
13 klientë. Më së shumti funksionoi prej komenteve dhe besimit që klientët krijuan”, tregon ajo.
Pas kësaj periudhe, sipas saj agjenci të tjera iu bashkuan dhe tashmë qendra ka 25 partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqëson Shqipërinë denjësisht në panairet ndërkombëtare të kuajve dhe kalërimit në disiplinën e kalërimit në natyrë.
“Ne kalërojmë kalin shqiptar që është një nga kuajt më të pamposhtur, një ngjitës i shkëlqyer i maleve”, tregon ajo.
Mësimet e kalërimit janë produkt i viteve të fundit të kësaj qendre.
Kristina thotë se ka besim se do të arrijë të ngrejë një komunitet kalorësish që të arrijë në rreth 200 kalorës, në 5 vitet e ardhshme.
Vizitorë që po vizitonin këtë qendër e konsideruan të shkëlqyer.
“Caravan Horse Riding Albania” është vendosur mbi kodrat e fshatit “Asim Zeneli”, një mjedis ideal për t’u dhënë lirinë e natyrës 40 kuajve të kësaj qendre.
Përballë shfaqet pamja e luginës së Drinos dhe qyteti i Gjirokastrës, pasuri e UNESCO-s. Qendra gjendet shumë pranë disa siteve me rëndësi historike, kulturore dhe natyrore që janë bërë edhe pjesë e itinerareve që ofrohen për kalorësit.
Partnerët lokalë të kësaj qendre janë 12 familje pritëse, një rrjet hotelesh, restorantesh, njësish të vogla, fermerë lokalë që furnizojnë fermën me ushqim gjithëvjetor për kuajt, farmaci veterinare, artistë, artizanë, fermerë, ferma të vogla, agjenci të specializuara në off road etj.