Ndërsa Shqipëria priti më shumë se 8.3 milionë të huaj deri në fund të muajit shtator, strukturat akomoduese po shtojnë kapacitetet për t’iu përgjigjur fluksit në rritje. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shembullin e sipërmarrësve të hotel “Apollon”, i vendosur në bregdetin e Sarandës.
“Nga bregdeti i Sarandës me sipërmarrje si “Hotel Apollon”, një ndër shumë shembujt e shkëlqyer që tregojnë se si sektorit të hotelerisë mund t’i japësh vlera duke i rritur standardet, teksa për shumë vite është trajtuar me inferioritet”, u shpreh Rama.
Sot, theksoi ai, turistët e huaj adhurojnë mikpritjen, ushqimin, verën e birrën shqiptare. Muaji shtator u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, rreth 30 % më shumë se viti i kaluar, ndërsa 9-mujori shënoi 8.3 milionë, ose 1.9 milionë vizitorë të huaj më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar. Pronari i këtij hoteli tregon se fillimisht nisi si një biznes i vogël familjar, ndërsa sot ka 40 të punësuar.
“Ideja e fillimit të biznesit ishte nga gjyshi jonë, më pas u pasua nga pjesëtare të familjes. Sot kemi 170 shtretër dhe 150 çadra, ndërsa kemi një staf prej 40 personash”, tregon pronari i hotel “Apollon”.
Pushues të shumtë, kryesisht të huaj tregojnë se hoteli është i vendosur në një vend fantastik, ndërsa janë të mahnitur me ushqimet tradicionale shqiptare.
Ata veçojnë birrën dhe verën shqiptare.