Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shprehu sot bindjen se miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë është veriu i vendit, ndërsa siguroi se do të vijojnë investimet për ndërtimin e akseve rrugore.
Në një takim me komunitetin shqiptar në Amerikë, Rama iu përgjigj interesit të një qytetari mbi ndërtimin e rrugës së Tropojës.
“Rruga është e vërtetë, jam në dijeni edhe për këtë dhe të tjera segmente të rëndësishme që janë thellë në Shqipëri”, tha Rama, ndërsa kujtoi se përpara 10 vitesh Tropoja ishte e braktisur totalisht.
Kryeministri tha se Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike.
“Kur unë shkoja në Tropojë dhe thosha këtu turizmi do të jetë pika e kthesës më shikonin si komunist i pandreqshëm. Ja që Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike. Ne bëmë një sërë ndërhyrjesh dhe do të vazhdojmë të bëjmë një sërë ndërhyrjesh në atë zonë, ku kanë filluar edhe shumë investime private, sidomos në luginën e Valbonës deri lart në Lekbibaj, ku ka investime private”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë të bëjë edhe akset rrugore vetëm se duhet pak durim.
“Problemi ynë është që ne e gjetëm Shqipërinë me gjithë rrugët rrugëve. Asnjë segment rrugor të përfunduar por vetëm borxhe për segmentet rrugore të inauguruara për fushatë”, tha Rama.
Larja e atyre borxheve dhe përmbyllja e atyre segmenteve, sipas Ramës, “ka qenë një torturë më vete”.
“Patjetër që do vazhdojmë. Rrugën e Dukagjinit e kërkonin të gjithë po kishin humbur çdo shpresë. Tani rruga e Dukagjinit po hapet dhe kështu do vazhdojmë edhe me rrugët e tjera. Besoj shumë se pavarësisht se jemi mësuar nga e kaluara jonë që ta shohim turizmin të lidhur me bregdetin, miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë është veriu i Shqipërisë. Dhe aty kur të rritet volumi i investimeve dhe kur të fillojnë edhe hotelet e luksit do të ndodhi një ndryshim jashtëzakonisht i madh dhe do të ketë shumë më tepër të ardhura për njerëzit dhe ata që do të investojnë atje”, tha Rama.