Hetimi ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili u arrestua më 21 tetor nën akuzat për korrupsion, nisi pas një kallëzimi të ngritur në vitin 2018 nga Romeo Kara, jurist pranë institucionit Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.

Kallëzimin, atëkohë, e mori në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila më vonë, për shkak të reformës në drejtësi, u shkri.

Me krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në vitin 2019, dosja i kaloi asaj.

Në atë kallëzim pretendohej për akte korruptive nga ana e Metës, derisa mbante postin e ministrit të Jashtëm, e më pas të Ekonomisë, mes viteve 2009-2013.

Si president shteti, Meta shërbeu nga korriku i vitit 2017 deri në korrik të vitit 2022.

Kara bëri kallëzim jo vetëm ndaj Metës, por edhe Sali Berishës si kryeministër i asaj kohe.

Ndaj Metës, ndërkohë, u ngritën edhe dy kallëzime të tjera.

Më 10 qershor të vitit 2022, ishte ish-deputeti Halit Valteri që ngriti kallëzim kundër tij në SPAK me pretendimin se në kohën që drejtonte partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, kishte firmosur kontrata lobimi me kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, disa prej të cilave nuk janë deklaruar.

Po në qershor të vitit 2022, SPAK-u i regjistroi të dyja kallëzimet në një të vetëm.

Në shtator të po atij viti, në dyert e SPAK-ut mbërriti edhe një tjetër kallëzim ndaj Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Avokati Idajet Beqiri pretendonte se çifti Meta kishte shpenzuar shuma të mëdha parash për shërbime mjekësore dhe të kirurgjisë estetike, që nuk justifikoheshin me të ardhurat e tyre, duke ngritur kështu dyshime për mosdeklarim të të ardhurave dhe për burime financimi me origjinë korruptive.

Afera CEZ-DIA

Në mars të vitit 2009, Shqipëria lidhi kontratë me Qeverinë e atëhershme çeke, që 76% e aksioneve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë t’i kalonin kompanisë çeke, CEZ.

Opozita e asaj kohe, me në krye Partinë Socialiste, e kundërshtoi, duke akuzuar Qeverinë se veproi në mënyrë klienteliste.

CEZ-i hasi në vështirësi për mbledhjen e detyrimeve si nga abonentët familjarë, ashtu edhe nga institucionet shtetërore.

Për këtë arsye u kërkua lidhja e një kontrate me një kompani që do ta ndihmonte CEZ-in t’i mblidhte borxhet.

Kontrata u lidh në shtator të vitit 2010 me kompaninë DIA.

Kjo kompani rezultoi të ishte regjistruar në korrik të vitit 2010 në Ishujt Virxhinia, me një kapital prej 50 mijë dollarësh.

Drejtues të saj ishin dy shtetas shqiptarë, njëri prej të cilëve Kastriot Ismailaj.

Rreth një muaj më vonë, kompania hapi degën e saj në Shqipëri për “investime financiare, mbledhje detyrimesh, konsulta në fushën e energjetikës” etj.

Më 1 shtator, pastaj, u firmos marrëveshja me CEZ-in për mbledhjen e detyrimeve të papaguara, edhe pse, sipas SPAK-ut, “nuk kishte asnjë përvojë në këtë fushë”.

Marrëveshja u kundërshtua nga Bordi Mbikëqyrës i CEZ-it dhe nuk u miratua prej tij.

Megjithatë, pak ditë më vonë, DIA përfitoi dy pagesa në vlerën e një milion eurove. Në muajin shkurt të një viti më vonë u firmos e njëjta marrëveshje e refuzuar më herët dhe në tetor të vitit 2011 marrëveshja u zgjidh.

Gjatë kësaj kohe rezulton se janë kryer dhjetëra transaksione bankare dhe kompania DIA ka përfituar rreth 649 miliardë lekë – apo rreth 6.4 milionë euro – me ndihmën e dy shtetasve çekë, që ishin pjesë e bordit mbikëqyrës të CEZ-it, duke i shkaktuar dëm shtetit, që zotëronte 24% të aksioneve.

Për aferën e njohur si CEZ-DIA ka pasur një kallëzim në vitin 2014, ndaj Kastriot Ismailajt, që u arrestua një vit më pas dhe në vitin 2018 u dënua me 11 vjet burg. Pasi kreu dënimin vitin e kaluar, ai u lirua.

SPAK-u, gjatë hetimeve, zbuloi se Meta ka pasur njohje të hershme me Ismailajn dhe se ka qenë ndikimi i tij si ministër i Jashtëm e më pas si ministër i Ekonomisë që ka çuar në nënshkrimin e marrëveshjes.

SPAK-u thotë se këtë e ka konfirmuar edhe shtetasi çek, Jozef Hejsek, ish-shef ekzekutiv i CEZ-it, në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë.

Sipas SPAK-ut, Meta ka marrë përfitime në shuma të konsiderueshme nga Ismailaj, përmes kësaj afere.

CEZ-it, pas tre vjetësh qëndrimi në Shqipëri, iu hoq licenca dhe kompania çeke e çoi çështjen në Arbitrazh, ku kërkoi 200 mijë euro dëmshpërblim.

Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në Shqipëri, çështja u zgjodh me negociata. CEZ u tërhoq dhe u ra dakord që shteti shqiptar t’i paguante palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë eurosh.

Kontratat e lobimit të LSI-së në SHBA

Më 10 qershor të vitit 2022, SPAK-u regjistroi një tjetër procedim penal ndaj Metës, pas kallëzimit të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri.

Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, siç quhej atëkohë Partia e Lirisë e drejtuar nga Meta, kishte firmosur kontrata lobimi në shkurt të vitit 2016 me kompani në SHBA, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, por duke mos i deklaruar ato.

Në kallëzim ngrihen dyshime për “korrupsion dhe pastrim parash” nga Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

SPAK-u thekson se bëhet fjalë për një faturë prej 690 mijë dollarësh, të padeklaruar as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe as pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive.

Hetime mbi pasurinë e çiftit Meta

Në shtator të vitit 2022 ishte avokati Idajet Beqiri, i cili ngriti kallëzim penal në SPAK kundër çiftit Meta-Kryemadhi për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të të ardhurave”, bazuar në të dhënat që ka siguruar, se gjatë viteve 2014-2022, ata kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për shërbime mjekësore dhe të kirurgjisë estetike, me qëllim humbjen në peshë dhe ndryshimin e pamjes së jashtme.

Për këto kallëzime, SPAK-u ka hetuar edhe lidhjet korruptive të çiftit Meta me një biznesmen shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku.

Falë ndikimit dhe ndërhyrjes së çiftit Meta, ai ka përfituar lejen për shtrimin e fibrave optike të internetit dhe ka dhënë me qira këtë shërbim.

Më pas, ai ka përfituar edhe një marrëveshje interkonjeksioni të transferimit të thirrjeve telefonike ndërkombëtare.

Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar se Meta dhe Kryemadhi kanë marrë pjesën e tyre të fitimit nga këto dy kontrata. Sipas SPAK-ut, përitimet lidhen me karta krediti të dhuruara, pagesa për shkollim të fëmijëve etj.

Në qershor të këtij viti, Meta u thirr në Prokurorinë e Posaçme dhe kur doli, deklaroi se “u thirr për gjëra të kota, u pyet për pasurinë, me të cilën në mirëbesim është marrë Monika”.

Në mars të këtij viti, ai dorëzoi në gjykatë kërkesë për divorc nga Kryemadhi.

Që prej fillimit të këtij viti, Meta nuk i ka ndalur sulmet verbale ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe prokurorëve të tjerë.

Kjo ka sjellë edhe reagimin e ndërkombëtarëve. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar si “të papranueshme” deklaratat e tij.

Karriera politike e Metës

Ilir Meta u bë zëvendëskryeministër i Shqipërisë në vitin 1998. Një vit më vonë mori postin e kryeministrit dhe më 2002 u bë ministër i Jashtëm, si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Pas shkëputjes nga kjo parti, Meta krijoi një parti të re, të quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2004.

Pavarësisht këtij fakti, ai bashkëpunoi me socialistët në zgjedhjet për pushtetin vendor në vitin 2007, kur dolën me kandidatë të përbashkët.

Një vit më vonë, ai e kundërshtoi reformën elektorale, që ishte hartuar në bashkëpunim mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, kryeministrit aktual të Shqipërisë.

Meta hyri në grevë urie, në përpjekje për ta bllokuar miratimin e kësaj reforme.

Në zgjedhjet e vitit 2009, Meta kaloi në krahun e djathtë, duke bërë aleancë me Berishën.

Më 2010, ish-bashkëpunëtori i tij, Dritan Prifti, publikoi një video të Metës, duke folur për shifra të mëdha parash, korrupsion dhe ushtrim të ndikimit në sistemin e drejtësisë.

Më 21 janar të vitit 2011, Partia Socialiste, bazuar në këtë video dhe zemërimin që kishte shkaktuar ajo te qytetarët, doli në protestë. Në atë ngjarje që u bë e dhunshme, u vranë katër qytetarë.

Pavarësisht akuzave të ashpra në drejtim të njëri-tjetrit, Meta bëri aleancë më Ramën para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Nga këto zgjedhje, partia e Metës doli me 16 deputetë.

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim garuan së bashku në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2015.

Meta dhe Rama u ndanë në vitin 2017, kur Partia Socialiste e Ramës kërkoi që ta kishte e vetme “timonin e qeverisjes”.

Megjithatë, pas zgjedhjeve, Partia Socialiste i ofroi Metës mandatin e presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Pasi mbaroi mandatin si president më 2022, ai mori drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që deri atëherë mbahej nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Ai akuzoi disa prej bashkëpunëtorëve të tij se kishin punuar kundër kësaj partie, së cilës ia ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.

Gjatë karrierës së tij politike, Meta shërbeu edhe si kryetar Kuvendi.

Meta u arrestua më 21 tetor. Ai u nxor me forcë nga automjeti i tij ndërsa udhëtonte drejt selisë së partisë së tij në Tiranë, ku kishte njoftuar se do të mbante një konferencë për mediat.

Partia e Lirisë dhe Monika Kryemadhi thanë se arrestimi i ngjante një “arrestimi banditesk”, ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi se përdorimi i forcës ishte i pashmangshëm, pasi Meta refuzoi t’i bindej policisë dhe lëshoi fjalë fyese ndaj punonjësve të policisë.

Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-presidentin e Shqipërisë për “korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë”.

Më 23 tetor, Meta doli para gjykatës, e cila la në fuqi masën e arrestit “burg pa afat” deri në fund të hetimeve që vijojnë ndaj tij.

Meta i konsideroi akuzat si politike dhe të urdhëruara nga kryeministri Edi Rama. Të njëjtën gjë deklaroi edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.