Zbardhen detaje të reja nga takimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda me drejtuesit e komisariateve dhe Policisë së Tiranës në takimin e zhvilluar mbrëmjen e së dielës që kishte në fokus masat për protestën e opozitës, e cila mbahet sot në orën 18:00. Opozita e konsideron protestën mosbindje civile.
Gazetari Igli Çelmeta referuar burimeve, raportoi për “BalkanWeb” se Proda iu ka kërkuar vartësve të japin porosi të qarta për efektivët në terren që të mos provokohen nga protestuesit dhe ndërhyrjet të jenë sa më të pakta.
“Kujdes mos u provokoni nga protestuesit. Ndërhyrjet të jenë të minimizuara, vetëm në raste nevoje. Mos të krijohen përplasje të provokuara. Ruani qetësinë dhe godinat e institucioneve”, mësohet se ka qenë këshilla e kryepolicit Proda. Një porosi e veçantë ka qenë për personat me precedentë të mëparshëm kriminalë.
“Kujdes listat me emrat e personave qeë kanë precedentë, të mbahen nën vëzhgim. Të filmohen dhe dokumentohen të gjitha veprimet e dhunshme dhe të jashtëligjshme”, ka kërkuar më tej Drejtori i Policisë së Shtetit.