Nga Ylli Pata
Fabula e masave sekrete për të ashtuquajturën “kryengritje të 7 tetorit” nuk është gjë tjetër veçse një rrjedhojë e qartë e frustrimit politik që ka opozita e Sali Berishës.
Pavarësisht teorive konspiracioniste të paneleve të dakës, për çdo qytetar të vëmendhshëm me zhvillimet politike në vend, përgjigja apo kërkimi i saj si një rebus fjalkryqi, nuk e lodh shumë.
Pasi, është e qartë se si veprim politik apo organizim, grupimi që ka drejtuar Sali Berisha ka qenë paramilitar në të gjithë udhëtimin e tij si lider historik i PD-së.
Edhe zgjedhja e 7 tetorit, që ka rastisur me masakrën e para një viti të Hamasit, për shumë vetë ka krijuar bindjen që së paku, ka një alkimi telepatike. Sepse çdo herë, kur Berisha ka kërcënuar për një reprezalje me “protestat” e tij, rezultatet janë pritur si të rënda.
Deri aty kur u qëllua kryeministria me antitank, u pushtua Kuvendi, RTSH, e u grabitën njësitë tregtare të të gjithë bulevardit që nuk kishin roje.
Pra, për njerëzit, është e fiksuar ideja se “më keq se 14 shtator 1998”, s’e bën dot. Kjo sepse publiku i ka parë të gjitha aksionet. Kur është në opozitë djeg me benzinë, gjuan me Molotov, thyen selitë qeveritare dhe kërkon “qeveri teknike e zgjedhje të parakohshme”. Ndaj dhe po përdoret strategjia e “fshehjes së skenarit” për të krijuar vetë njerëzit ide kreative deri të hënën. Pra të shfrenojnë fantazinë e tyre me skenare paralele të qametit të 7 tetorit.
Normalisht, një opozitë, apo edhe çdo organizatë politike apo e shoqërisë civile, përpara një proteste të paralajmëruar bën publike idenë e saj për planin e protestës, në mënyrë që njerëzit të krijojnë një ipakt me këtë demonstrim.
Një impakt që mund të çojë edhe me përfaqësimin e kauzës, apo së paku respektimin e sai. Në çdo kryeqytet të Europës, çdo ditë që nga e hëna deri në të diel, ka protesta pa fund. Protesta të shumë grupeve politike apo civile, për çështje të ndryshme. Ajo që PD-ja e quan “Mosbindje Civile” ka qenë një armë politike e shumë grupeve në kontinent.
Radikalët e Marco Panella-s dhe Emma Boninos, janë nga më të famshmit në Europë, në përdorimin e praktikave gandiste paqësore. Dhe duhet pasur parasysh se radikalët nuk kanë qenë kurrë një grup militantësh masivë. Madje kanë qenë pak, shpesh edhe shumë pak. Por me insistim dhe një ide të qartë kanë udhëhequr beteja të mëdha, që u kthyen më pas në betejat e qytetërimit.
E drejta e abortit, por edhe divorcit, në një Itali konservatore janë udhëhequr pikërisht nga “mosbindja civile” që konsistonte në demonstrime në rrugë, në media, apo edhe greva urie e etje, apo të tjera të tilla.
Mosbindje civile me gjysa tullash apo me shishe benzine, sikur kërcet. Kjo e dyta nuk është gjë tjetër veçse një metodë që e përdorin grupet paramilitare. Si për shembull Hamasi apo Hezbullahu, që sot janë më të njohura.
Por nuk është vetëm benzina e gjysat e tullave mjet politik paramilitar, por edhe sulmi i të gjithë atyre që nuk e mendojnë si këta, apo mendojnë e thonë diçka tjetër. E përdoret sulmi ndaj gazetarëve që shkruajnë për Partizanin apo 21 janarin, siç Berisha bëri mbrëmë nga ballkoni. Për të nxitur një efkt domino nga ndjekësit, nëpër rrjete sociale apo media online.
Dhuna e kësaj gjuhe, që natyrisht janë shpifje, ndaj ambasadorëve të Perëndimit apo gazetarëve që kritikojnë PD-në, është një nga armët kryesore që është përdorur ndër vite. Kush ka kujtesë e kupton shumë qartë dhe e dallon se për çfarë bëhet fjalë. Ka qenë një gazetar që sot nuk jeton më, Andrea Stefani, i cili ishte analist i njohur në median e shkruar dhe televizion.
Andrea, ishte mishërimi i qytetarisë, etikës dhe njerzillëkut. Në daljet e tij në panele, kurrë nuk tha një sharje, fjalë të rëndë, apo broçkull. Apo qoftë ngritje zëri. Andrea thejsht përdorte logjikën për të shprehur mendimet e tij. A i mbani mend ç’i bënë Andreas së ndjerë në rrjete dhe mediat e tyre, kur portalet dhe rrjetet i kanë të mbushur me bullizues që nxjerrin zjarr nga goja e tyre për njerëz që nuk i njohin fare. E pikërisht kjo është arma më e fortë e një grupi paramilitar, të cilën e njohim shumë mirë edhe në botë edhe tek ne.
Ndaj, “sekretet” e shpallura për 7 tetorin nuk i bëjnë përshtypje kujt. Sepse i kanë parë të gjitha…