Beni Arshiaj, 37 vjeç, u vra në mënyrë mafioze mbrëmjen e së dielës, në provincën e Pizës. I riu shqiptar ndodhej në furgonin e tij, ku autorë ende të paidentifikuar, u afruan dhe lëshuan mbi të breshëri plumbash.

Mediat italiane shkruajnë se bëhet fjalë për një atentat të mirëfilltë pasi dy persona me motor qëlluan disa herë ndaj tij.

37 vjeçari i cili punonte si murator, po dilte nga furgoni i tij pasi kishte mbërritur në banesën e tij në Oratoio. Në atë moment, dy persona me motor kanë ndaluar dhe i kanë drejtuar armën duke e qëlluar disa herë dhe një prej plumbave e kapi në kokë.

Dëshmitarët kanë përshkruar panikun e krijuar dhe britmat e gruas dhe djalit të viktimës të cilët panë gjithë ngjarjen me sytë e tyre.

“Një breshëri të shtënash. “Ne menduam se ishin fishekzjarre”, – u shprehën disa prej banorëve të zonës të cilët po festonin në qytet.

Në vendngjarje u gjetën pesë gëzhoja plumbash, ndërsa autorët ia mbathën.

Prokuroria ka urdhëruar që trupi të transportohet në spital ku në orët në vijim do të bëhet ekspertiza e autopsisë.

Policia ka marrë celularin e viktimës për të kuptuar nëse mund të ketë të dhëna që ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Në këto orë hetuesit po analizojnë të gjitha kamerat e sigurisë në zonë. Asnjë pistë nuk përjashtohet.