Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bën të ditur sot se të gjitha strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme, për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë. Si pasojë e punës së bërë gjatë gjithë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata është përmirësuar.
Aktualisht, puna e të gjitha strukturave: bashkisë së Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë, OSHEE, Prefekturës, është përqëndruar në 4 kryqëzime ende të bllokuara në qytetin e Vlorës, i cili u prek më shumë nga situata e keqe e motit në 24 orët e fundit.
Në mbështetje të tyre, ministri Vengu bëri të ditur se janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse.
“Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: tek Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit”, tha ai.
Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.
Sipas tij, hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit. Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku kabinat elektrike kanë prani uji.
Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gatishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC.