Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkoi sot nga drejtuesit e bashkive bashkëpunim maksimal me fermerët për pajisjen me lejendërtimi serrash.
Në takimin e zhvilluar në Lushnjë për prezantimin e Skemës Kombëtare të Investimeve, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, Balluku tha se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion të fermerëve për të përftuar nga kjo skemë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë përsipër të asistojë fermerët për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për të përfituar nga kjo skemë dhe e gjithë procedura mund të kryhet edhe fizikisht.
“Qeveria shqiptare ofron mbi 99.9 % të shërbimeve online, por duke pasur parasysh kohën e shkurtër dhe vështirësinë që ju hasni për të shkuar online, Ministria e Bujqësisë ka marrë përsipër që ju fizikisht të shkoni të dorëzoni dokumentacionin dhe të procedoni sa më parë. Vitin që vjen edhe ky shërbim do të kryhet online”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi se Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi prej 1.5 miliard lekësh, një nismë e qeverisë shqiptare, synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit.
“Kjo është një skemë paralele me Skemën e Subvencioneve që ne kemi filluar ta disbursojmë dhe deri në fund të vitit do ta disbursojmë në llogaritë tuaja të plotë. Por nuk mund vetëm të prodhojmë, në qoftë se nuk ndërtojmë shtëpinë e prodhimit, serrat. Nuk mundemi dot të mbarështojmë në qoftë se kushtet e bagëtive tona nuk janë ato që kërkohen në standardet e Bashkimit Europian”, tha Denaj.
Përmes kësaj skeme, tha ministrja, fermerët ndihmohen në rritjen e sipërfaqeve në hektarë në investime në serra dhe për ndërtime të reja për stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Ajo po ashtu, Denaj theksoi se janë thjeshtuar procedurat në krahasim me fondet e mëparshme të investimeve për të mundësuar aplikimin e sa më shumë fermerëve.
“Sot nuk mund të jesh vetëm një kompani e regjistruar, por rëndësi ka edhe një NIPT fermeri dhe vetëm me NIPT-in e fermerit mund të aplikosh, përtej dokumentacionit tjetër që kërkohet siç janë lejet e ndërtimit në rastin e dy masave të para, por në mekanikë bujqësore mjafton vetëm një ofertë e mekanikës bujqësore”, tha ajo.
Edhe akuakultura është një zë shumë i rëndësishëm. Sipas ministres Denaj, po synohet që me mbështetjen përmes skemave kombëtare prodhimi të shkojë nga nga 9 600 tonë në 30 mijë tonë në 2030-ën.
Ministrja Denaj u shpreh se skemat e mbështetjes në dispozicion ët fermerëve i shërbejnë objektivit të qeverisë për të arritur në vlerën e eksporteve prej 1 miliard dollarësh në fund të pesëvjeçarit të ardhshëm.
“Sot jemi në gjysmë të rrugës dhe prandaj këto skema investimesh janë një mbështetje e drejtpërdrejtë për të rritur sipërfaqen në hektarë, të cilat në 5 vite kanë shkuar nga 1000 ha në 2200 dhe në 5 vitet e tjera ne synojmë përsëri t’a dyfishojmë“, tha ajo.