Sytë e gjithë botës së futbollit do jenë sonte nga Madridi. Reali kampion në fuqi, njëkohësisht pasi u mbush me karburant në Champions League, pret Barcelonën në orën 21:00 në atë që njihet si El Clasico. Katalanasit vijnë si kryesues të La Liga me 3 pikë më shumë se ‘galaktikët’, ndaj kjo është një arsye më shumë që Reali t’ia dalë sonte. Koeficentët sugjerojnë skuadrën e Ancelottit si favorite me një diferencë jo të vogël, ndërsa njëkohësisht nëse nuk humbet sonte, Reali barazon rekordin e Barcelonës me 43 ndeshje rradhazi pa disfatë në kampionat.

Në prag të takimit, Ancelotti i cili sonte s’ka të disponueshëm portierin Courtis dhe Rodrygon, është shprehur se ‘nuk ka frikë për asgjë në këtë përballje’, ndërsa ka shtuar se pret ‘argëtim dhe spektakël’. Nga ana tjetër Flick, i cili ka rikuperuar lojtarë si Gavi, Olmo dhe Ansu Fati shprehet se skuadra e tij do bëjë presion shumë lart, njëjtë si kundër Bayernit në Champions League.

Interesi për këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm, aq sa në momentin kur dolën në shitje biletat, mbi 1 milionë tifozë ishin në pritje në faqen e Real Madrid. Çmimet për të parë El Clasicon nisnin nga 150 euro dhe shkonin deri në 450, por për shkak të interesit të lartë po rishiten në treg të zi me çmim disa herë më të lartë. Mediat në Spanjë flasin për shifra deri në 2200 euro.

Ndërkohë në Seria A, për shkak të kushteve të vështira atmosferike që priten, ndeshja mes Bolognas dhe Milanit është shtyrë. E parashikuar të shtunën në orën 18:00 ky takim do luhet në një moment tjetër, me Milan që është pala më e dëmtuar në këtë vendim. Për shkak se kishte disa pezullime, lojtarë si Hernandez dhe Rijenders do i shlyejnë ato në sfidën pasardhëse kundër Napolit.