Ish-mesfushori i Realit të Madridit dhe Gjermanisë, Toni Kros (34 vjeç) ka folur në një intervistë për televizionin publik spanjoll “TVE”.
Gjermani, i cili më 5 tetor ndoqi për herë të parë si spektator Realin nga tribunat e “Bernabeu”-t, foli për mënyrën se si ndihet në këta muajt e parë pas tërheqjes nga futbolli, penalltinë e diskutueshme e të padhënë për prekjen me dorë të topit nga Kukureja në “Euro 2024”, si dhe “Topin e Artë”, pa i dhënë ndonjë rëndësi të veçantë këtij të fundit.
TËRHEQJA – “Të mungojnë disa gjëra, por unë jam shumë mirë. Nëse vendos për diçka, jam i bindur dhe e bëj. Kjo nuk do të thotë se nuk është e vështirë për mua. Në fund të fundit është vetëm futboll, në jetë vuajmë me gjëra të tjera. Sigurisht që më vjen mirë që njerëzit flasin pozitivisht dhe thonë se u mungoj. Do të thotë që ke bërë diçka të mirë në këto dhjetë vjet. Nuk kam asnjë dyshim se ata (Reali) do të vazhdojnë të fitojnë”.
DORA E KUKUREJËS – “Të gjithë jemi dakord se ajo mund të akordohej penallti. A e preku topin me dorë Kukureja? Po. A e meritonte Spanja ta fitonte titullin? Po. A e meritonte Gjermania ta fitonte atë ndeshje? Po. Por nuk mund të ndryshohet më asgjë tani”.
“TOPI I ARTË” – “Për mua ‘Topi i Artë’ nuk është temë e rëndësishme. Nëse do ta fitojë një lojtar i Realit do të isha i kënaqur. E meriton Vini, e meriton Xhud, e meriton Karvahal…