Ilir Meta, ish-Presidenti i Shqipërisë dhe aktualisht kryetari i Partisë së Lirisë, ka zgjedhur që prej disa muajsh të mos ketë më mbrojtje nga Garda e Republikës, një privilegj që i takon në bazë të ligjit për ish-krerëve të shtetit. Ky vendim erdhi pas pretendimeve të Metës se gardisti i caktuar për ta mbrojtur, Laert Gjoka, kishte raportuar informacione për të tek kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si “patronazhist”.
Meta vendosi ta largonte truprojën e tij, pas 11 vitesh shërbimi, dhe që atëherë udhëtonte vetëm me shoferin personal. Ky zhvillim u bë i dukshëm gjatë arrestimit të tij nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Në momentin e arrestimit, Meta ishte i vetëm në automjet, pa praninë e një gardisti, çka ndryshoi edhe mënyrën si u realizua procedura e ndalimit.
Sipas procedurës standarde, nëse Meta do të kishte pasur truprojën e Gardës, agjentët e BKH-së fillimisht do të duhej të komunikonin me punonjësin e Gardës, i cili më pas do të njoftonte eprorët dhe vetë Metën për masën e arrestit. Kjo mund të kishte shmangur skenën e arrestimit me forcë që u transmetua në media.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”.