“Covid-19” mund të jetë një faktor për sulmet në zemër dhe goditjet në tru. Këtë e ka zbuluar një studim i botuar të mërkurën në revistën mjekësore Atherosclerosis, Thrombosis, and Vascular Biology. Studimi u bazua në të dhënat mjekësore të më shumë se 230,000 personave që ishin të regjistruar në Biobank të Mbretërisë së Bashkuar.
Brenda këtij grupi të dhënash, studiuesit identifikuan më shumë se 11,000 persona që e kishin kaluar pandeminë, nga ata gati 3,000 prej tyre ishin shtruar në spital. Këto të dhëna i krahasuan me më shumë se 222,000 persona të tjerë që nuk ishin prekur nga pandemia. Sipas studimit, personat që u infektuan me Covid në vitin 2020, përpara se të kishte vaksina për të zbutur infeksionin, kishin dy herë më shumë rrezik për të pësuar atak të madh në zemër, goditje në tru, të cilat mund të rezultojnë fatale.
Si i shtoi COVID-19 rreziqet kardiovaskulare?
Rreziqet e rritura kardiovaskulare nuk duket se zvogëlohen me kalimin e kohës.
“Nuk ka asnjë shenjë që ky rrezik të zvogëlohet. Kjo mendoj se është gjetja më interesante,”– tha autori i studimit Dr. Stanley Hazen, i cili drejton Divizionin e Shkencave Kardiovaskulare dhe Metabolike në Klinikën e Cleveland.
Studiuesit e përfshirë në studim thonë se nuk e dinë saktësisht pse COVID-19 ka efekte kaq të gjata në sistemin kardiovaskular. Studimet e mëparshme kanë treguar se koronavirusi mund të infektojë qelizat që ndërtojnë muret e enëve të gjakut. Virusi është gjetur edhe në pllakat ngjitëse që formohen në arterie, të cilat mund të çahen dhe të shkaktojnë sulme në zemër dhe goditje në tru.
“Thjesht mund të ketë diçka që Covid i bën mureve të arterieve dhe sistemit vaskular që është dëmtim i përhershëm dhe ai thjesht vazhdon të shfaqet me kalimin e kohës,”-tha autori i studimit Dr. Hooman Allayee, profesor i biokimisë dhe gjenetikës molekulare në Universitetin e Shkolla e Mjekësisë e Kalifornisë Jugore Keck.
Roli i grupit të gjakut
Studiuesit e dinin se njerëzit me grupe gjaku A, B ose AB ishin në rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare. Dhe ata zbuluan në studimin e ri se grupi i gjakut gjithashtu luan një rol në sa ka gjasa që dikush të infektohet me COVID-19. Njerëzit me grupin e gjakut O duket se janë pak më të mbrojtur se të tjerët. Njerëzit me grupin e gjakut O që ishin shtruar në spital nuk kishin rrezik aq të lartë për atak në zemër ose goditje në tru sa njerëzit me grupin e gjakut A, B ose AB.
Por kjo nuk do të thotë se janë të sigurtë.
Studiuesit besojnë se gjeni që kodon grupin e gjakut mund të luajë gjithashtu një rol në rritjen e rrezikut të sulmeve në zemër, por ende nuk e kanë zbuluar sesi ndikon. Përfundimi është ky: kushdo që kaloi COVID-19 – qoftë i vaksinuar apo jo – duhet të jetë i kujdesshëm në lidhje me sëmundjet e zemrës.