I vendosur për të përshkallëzuar situatën në Lindje të Mesme, Izraeli duket se ka hartuar një plan për t’u hakmarrë kundër Hezbollahut pas sulmit me dron që synoi rezidencën e Benjamin Netanyahut.

Në mesazhet e tij pas goditjes, kryeministri izraelit foli për një atentat ndaj tij, ndërsa përmendi dhe një përgjigje të menjëhershme ndëshkuese ndaj aleatëve të Iranit.

“Aleatët e Iranit që u përpoqën të më vrisnin mua dhe gruan time sot bënë një gabim të rëndë. Kjo nuk do të më pengojë mua dhe Shtetin e Izraelit nga vazhdimi i luftës së drejtë kundër armiqve tanë për të siguruar të ardhmen tonë”, shkroi Netanyahu në një postim në X.

Siç raportohet nga mediat e huaja, Këshilli i Sigurimit i Izraelit do të mblidhet së shpejti për të diskutuar mbi përgjigjen në Teheran, por pak më herët ministri i Mbrojtjes i vendit Yoav Gallad, gjatë një konferencë për situatën në kufirin verior, tha: “Ne po punojmë për të kaluar në një fazë tjetër, të mposhtjes së armikut duke hedhur në erë tunele, depo municionesh, duke çmontuar Hezbollahun”.

“Po i afrohemi gjithnjë e më shumë përfundimit të misionit, edhe pse ka ende shumë për të bërë. IDF po përgatitet për lëvizje të mëtejshme, por në radhë të parë duke e ekzekutuar këtë operacion si duhet”, shtoi ministri i Mbrojtjes.

Takimi i Këshillit të Sigurimit do të zhvillohet në bazën ushtarake të Tel Avivit, ndërsa Izraeli vazhdon të përgatitet për të goditur Iranin në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Republikës Islamike më 1 tetor.