Duke marrë shkas nga pyetjet dhe kërkesat e Tatimpaguesve, përcjellë në kanalet zyrtare të komunikimit, Administrata Tatimore ka vendosur shtyrjen e afatit të dorëzimit të të dhënave të pronësisë dhe kontratës së qirasë për vendushtrimin e aktivitetit ekonomik në e-Filing deri më 20 nëntor 2024.
Administrata Tatimore bën gjithashtu me dije se gjatë këtyre ditëve do të vijojë punën për përmirësimin e modulit për ta bërë më të thjeshtë deklarimin për tatimpaguesit, ndërkohë që ata vetë do të duhet të përditësojnë informacionin e kërkuar, duke ndjekur 5 hapat si më poshtë vijon:
•Klikoni në seksionin e-Filing Im
•Klikoni Profili Im në listën e shfaqur
•Në seksionin në të majtë, “Detajet e Tatimpaguesit”, klikoni tek Adresa
•Në seksionin Adresa Kryesore që do të shfaqet klikoni në logon e shtëpizës
•Në tabelën që shfaqet do të plotësoni të dhënat që kërkohen te “Detajet e objektit ku ushtrohet aktiviteti” dhe ngarkoni vërtetimin e pronësisë ose kontratën e qirasë
Për lehtësi, informacionin e detajuar për mënyrën dhe hapat që duhet të ndiqni e gjeni edhe në dokumentin “Manual i Plotësimit të Detajeve” (ilustruar si bashkëlidhur).
Depozitimi apo përditësimi i këtyre të dhënave, nga llogaria personale në e-Filing, duhet të plotësohet nga çdo tatimpagues, për adresën kryesore si dhe çdo adresë sekondare (nëse ka).
Ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të Tatimit në Burim si dhe për krijimin e mundësisë për parambushjen e Deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi.
Depozitimi i të dhënave si më lart përmendur bazohet në kërkesat e Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH” i ndryshuar, neni 23, pika 1. Mosdhënia e këtij informacioni konsiderohet kundërvajtje administrative!