Kryetari i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi ka reaguar për mes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” në lidhje me tensionet e regjistrura ditën e sotme në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin. Në reagimin e tij Peleshi u shpreh se sot është tejkaluar çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës, Milva Ekonomi, nga deputetët e përjashtuar të opozitës, Xhelal Mziu dhe Ina Zhupa.
Ai shtoi se opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Sipas tij dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme. Ai gjithashtu i bëri thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut.
Reagimi i plotë:
Pas përpjekjeve të dhunshme të PD për të penguar punimet e seancës plenare dhe sulmet me molotov ndaj institucioneve, sot është tejkaluar çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës, Milva Ekonomi, nga deputetët e përjashtuar të opozitës, Xhelal Mziu dhe Ina Zhupa. Opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend.
Dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme. I bëjmë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut. Dhuna dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Kuvendit nuk i shërbejnë as qytetarëve, as demokracisë.