Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të rekomandojë përdorimin e forcës bazuar në rezolutën e vitit 1950, nëse Këshilli i Sigurimit nuk arrin të ndalë sulmet e Izraelit në Gaza dhe Liban.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë më i heshtur ndaj banditizmit të Izraelit që i ka vënë flakën të gjithë rajonit. Nëse Këshilli i Sigurimit nuk tregon vullnetin e nevojshëm, Asambleja e Përgjithshme duhet të vërë me shpejtësi në zbatim autoritetin e saj për të përdorur forcën, si në rezolutën e Bashkimit për Paqe të vitit 1950”, tha Erdogan të hënën në mbrëmje.
Rezoluta në fjalë thotë se Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të ndërhyjë nëse 5 shtetet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit – SHBA, Britania, Kina, Franca dhe Rusia – nuk arrijnë të sigurojnë paqen në botë.
Këshilli i Sigurimit është i vetmi organ o OKB-së që mund të marrë vendime që kanë fuqin e ligjeve, si autorizimi i përdorimit të forcës dhe vendosja e sanksioneve.
Erdogani gjithashtu tha se dëshiron të shohë reagim edhe nga shtetet e tjera të botës islame, duke u bërë thirrje që të ndërmarrin masa ekonomike, diplomatik dhe politike kundër Izraelit, për t’i bërë presion që të pranojë armëpushimin.
Turqia, vend anëtar i NATO-s, ka denoncuar disa herë sulmet e Izraelit në Gaza dhe ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet tregtare me të. Gjithashtu, Ankaraja ka kërkuar të jetë pjesë e çështjes së gjenocidit të ngritur kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, akuza të cilat Izraeli i hedh poshtë.