Nga Blerina Cene
Dy vitet e ardhshme do ta gjejnë Shqipërinë me një legjislacion të thjeshtëzuar të ekstradimeve me Italinë fqinje. Në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian, vendi ynë po intensifikon nismat ligjore për shmangur disa hallka në procedurën e ekstradimit dhe të ndjekjes penale për çdo person ndaj të cilit është lëshuar një urdhër ndalimi. Në një intervistë për Vizion Plus, Drejtoresha për Marrëdhëniet Juridiksionale dhe Bashkëpunimin Ndërgjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë, Diana Stillo sqaroi se ligji në fuqi i kushton kohë secilit shtet për të kryer procedurën e dorëzimit të të ndaluarve.
“Pasi është lëshuar nga organi gjyqësor një urdhër ndalimi, që mund të jetë ndërkombëtar ose në rastin konkret urdhër europian ndalimi, në këtë rast INTERPOL kap subjektin dhe subjekti në atë moment arrestohet nga gjykata, e cila vendos masën e sigurisë dhe më pas është autoriteti qëndror, Ministria e Drejtësisë, e cila me prokurorinë fillon procedurën. Ky është një hark i gjatë. Vullneti i Italisë është një shtysë më shumë. Neve jemi shumë të nxitur që të bëhen gjërat brenda 2025- 2026. Ky është një angazhim specifik në kuadrin e bashkëpunimit shumë intensive me shtetin italian duke qenë se në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetin italian kemi skuadra të përbashkëta hetimore më shumë se me vendet e tjera”, thotë Diana Stillo, drejtoreshë e Marrëdhënieve Juridiksionale dhe Bashkëpunimit Ndërgjyqësor.
Ndërkohë rruga ligjore që pritet të ndiqet është shumë më e shkurtër.
“Ndryshimi është ky: deri tani do të ndjekim procedurën klasike nga ministria e drejtësisë, si autoritet qendror, kalon në prokurorinë e përgjithshme ose SPAK. Duke qenë se është vendim gjyqësor bëhet i zbatueshëm direkt. Pra, ti shmang njohjen dhe në momentin që tjetri kapet, ti vazhdon procedurën pa kaluar në Ministrinë e Drejtësisë. Dhe ke afate shumë të përcaktuara. Te ne janë afatet e konventave të tjera, që mund të jenë Konventa e Kombeve të Bashkuara apo ato të Këshillit të Europës, që janë afate 13 ditë, 40 ditë. Ndërsa këtu janë afate shumë të ngushta. Dhe direkt gjykata shprehet për ekstradimin, dorëzimin e subjektit”, thotë Stillo.
Në ambicien e Ministrisë së Drejtësisë është shtrirja e të njëjtit instrument ligjor në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian në përputhje me ndryshimet ligjore të 2021 për marrëdhëniet jurdiksionale me autoritetet e huaja në fushën penale. /vizionplus.tv