Daria Navalny, vajza e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny, ka nisur të punojë në ekipin zgjedhor të zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris në Pensilvani.
E njohur si Dasha, ajo përfundoi studimet në Universitetin Stanford në Kaliforni këtë qershor, katër muaj pasi babai i saj ndërroi jetë në një burg rus në rajonin e Arktikut. Ajo ka studiuar psikologji sociale dhe shkenca politike që prej vitit 2019, raporton “The Times”.
Që nga gushti, 23 vjeçarja Daria ka punuar si menaxhere me kohë të plotë për fushatën e Kamala Harris në Filadelfia, sipas profilit të saj në LinkedIn. Ndër detyrat e saj përfshihen angazhimi i votuesve dhe shpërndarja e mesazhit të fushatës në komunitetin lokal, por nuk ka bërë deklarata publike në mbështetje të Harris.
Alexei Navalny, i njohur si kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, ishte duke vuajtur një dënim prej 30 vitesh në burgun “Polar Wolf 16” kur humbi jetën më 16 shkurt të këtij viti.