Tiranë- Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës për dosjen e ekzekutimit të ish-policit Santiago Malko, ish-mikut të biznesmenit të zhdukur të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, ngjarje për të cilën është akuzuar “Klani Duka”.
Teksa një pjesë e organizatës janë hetuar dhe gjykuar më parë, pas arrestimit dhe ekstradimit nga Belgjika, ka nisur prej javësh edhe procesi me prezencën e të akuzuarit si kreu i organizatës dhe porositësi i atentatit të gushtit 2019 te “Xhamlliku” në Tiranë, Leonard Duka.
I pandehuri ka dhënë dëshminë e radhës ditën e sotme në GJKKO, teksa u mor në pyetje nga prokurori. Seancën e kaluar pati tensione të forta, për shkak të akuzave nga nëna e të ndjerit Malko, e cila drejtoi edhe fyerje ndaj të pandehurit.
Prokurori e pyeti Dukën se çfarë kishte bërë më 27 gusht 2019 (nata e atentatit)?
“Mesa mbaj mend, ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia, më kanë marrë shenjat e gishtave, pastaj më lanë të lirë. Aty kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë në lokalin tim deri në orën 10, pasi mbylla lokalin, po ikja për në shtëpi më ndaloi policia. Si çdo ditë me punët, kemi ngrënë një drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar rrjedhën.
Kam qenë me vëllain tim, Erlis Duka, më ka bërë shenjë policia dhe shkuam në polici. Policia bëri punën e vetë në mënyrën më njerëzore, asnjë kundërshtim me mënyrën si më shoqëruan, më kanë nxjerrë ditën tjetër. Unë s’e dija kush kishte vdekur, aty e mora vesh. Më pyetën, u thashë që nuk kam lidhje me ngjarjen, kam treguar për njohjen e vjetër miqësinë me të ndjerin. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive, më shpallën në kërkim. Mund të më thoni ju prokuror pse jam këtu, se unë nuk e di”…