Që kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ktheu çështjen e abortit në duart e shteteve në vitin 2022, demokratët janë mobilizuar për të mbrojtur të drejtat e abortit, ndërsa republikanët kanë punuar për të kufizuar procedurën mbi baza fetare dhe morale.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson nga Nevada, kjo çështje po motivon pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
Votuesit në Nevada nuk po vendosin vetëm mes kandidatëve Donald Trump dhe Kamala Harris për president. Ata do të votojnë edhe për nismën ligjore “Pyetja e Gjashtë”.
Laura Campbell po shkon derë më derë për të kërkuar mbështetje për këtë propozim, që ajo thotë se është shumë i rëndësishëm.
“Qasja tek aborti në fakt më shpëtoi jetën më shumë se një herë. Mendoj se kjo është e rëndësishme, sepse pas vendimit të Gjykatës së Lartë, shteti duhet të na mbrojë”, thotë ajo.
Por votues si Deborah Costello, nga organizata fetare jofitimprurëse që ofron alternativa ndaj abortit, “First Choice Pregnancy Services”, janë të shqetësuar nga mundësia e miratimit të propozimit, që do ta bënte të drejtën e abortit pjesë të kushtetutës së Nevadës.