“21 janari” mund të jetë çështja që do të çojë në dyert e SPAK, atje ku nuk ka shkelur kurrë deri më sot, ish-kreun e opozitës Lulzim Basha. Ky i fundit është i vetmi eksponent i lartë që ende nuk ka shkelur në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që nga krijimi i kësaj të fundit në vitin 2019. Ndryshe nga Basha, SPAK ka marrë si të pandehur ose ka ende nën hetim të gjithë liderët e tjerë të opozitës; Sali Berishën, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Por përse do të shkojë në SPAK Lulzim Basha?
Sot në Prokurorinë e Posaçme u rishfaq edhe një herë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kësaj here në statusin e kallëzuesit dhe si person në dijeni. Pas dëshmisë së dhënë para hetuesit Alfred Shehu, Tahiri u tha mediave të pranishme se kishte shkuar për kallëzimin e bërë në vitin 2015 nën cilësinë e ministrit të Brendshëm. Në prill të atij viti, Tahiri depozitoi një padi në Prokurori. Sipas Tahirit, Basha, në cilësinë e ministrit të Brendshëm të kohës, kishte urdhëruar që mbi protestuesit të hidhej lëndë kimike nga ajri. Pas përfundimit të protestës, sipas kallëzimit janë kryer modifikime në regjistër, ku janë korrigjuar disa prej urdhrave të dhënë.
Bashkëngjitur padisë penale, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave asokohe dorëzoi edhe fletën e regjistrimit ku ishin kryer korrigjimet, mbi bazën e të cilit është ngritur padia ndaj ish-kreut të opozitës, Lulzim Basha.
“Dy fletë të këtij regjistri të Gardës së Republikës konsiderohen si provë nga SHÇBA, pasi edhe nga vështrimi me sy të lirë ata konsistojnë shënime të korrigjuara, edhe pse në fakt shkrimi është disi i palexueshëm. Episoedet janë: komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri e të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demonstruesit në Piramidë”. Por, sipas SHÇ- BA, në këtë urdhër është kryer një korrigjim pas përfundimit të protestës, pasi fjala “lakrimogjene” është shtuar më vonë, ndërsa urdhri ka qenë për lëndë “homogjene”. Pra fjala “homogjene” është korrigjuar duke u zëvendësuar me fjalën “lakrimogjene”. Asnjë lloj zjarri, pa zbatuar ligjin kundër demonstruesve”, është urdhri i dhënë në këtë orë. Por sipas SHÇBA, edhe në këtë faqe të regjistrit ka një korrigjim të frazës së sipërcituar. Sipas ekspertëve hetimorë, para korrigjimit kjo frazë ka qenë: “Asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër” dhe më pas i është shtuar fraza “pa zbatuar ligjin kundër demonstruesve,”-ka qenë sqarimi i bërë për padinë e gati 9 viteve më parë.
Kështu në vazhdën e socialistëve që po merren në pyetje lidhur me atë që ndodhi ditën kur u vranë 4 protestues, pritet që para drejtësisë të dalë edhe vetë Basha. Megjithatë deri më tani, ende nuk ka asgjë të konfirmuar zyrtarisht nga SPAK. Pritet që ditët në vijim të sjellin zhvillime…
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit.