Sot është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. Kjo është hera e parë që 22 Nëntori kremtohet si festë kombëtare pas miratimit të vendimit në fillim të këtij viti.

22 Nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 Nëntor të vitit 1908.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjete sociale ndërsa uron festën kombëtare.

“Gëzuar ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.

Një ditë më parë kryeministri, nga Kuvendi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, lajmëroi se të premten do të prezantohet edhe drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata, ku u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.

Në Kongresit e Manastirit morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, ky kongres ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune, më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare.

Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.