Ankthi mund të jetë një ndikues i madh i marrëdhënieve. Ai jo vetëm që të pengon të jesh i/e hapur dhe i/e vërtetë me partnerin/en tënd/e, por krijon distancë emocionale dhe shpesh të vë në një pozicion ku shmang intimitetin. Po si ndikon konkretisht ankthi në marrëdhëniet e tua? Dhe më e rëndësishmja, si mund ta ndalosh këtë ndikim negativ?

1. Përqendrimi absolut te vetja

A ke kapur ndonjëherë veten duke analizuar çdo lëvizje, fjalë ose gjest gjatë një momenti të thjeshtë me partnerin? Ky fenomen njihet si “vetë-vëzhgim” dhe është një tipar tipik i ankthit. Në vend që të shijosh momentin dhe të jesh vetvetja, mendja jote vrapon pas mendimeve si: “A po dukem mirë? Mos vallë thashë diçka të gabuar? A jam duke vepruar siç duhet?”
Kjo mënyrë të menduari nuk të lë të jesh i/e pranishëm/enë moment. E vetmja zgjidhje është të besosh te vetja dhe te partneri yt. Kujto se: nëse je aty, është sepse të duan për atë që je. Lejoje veten të përjetosh momentin dhe të çlirohesh nga analizat e panevojshme.

2. Ankthi i “performancës”

Kur mendon për intimitetin fizik, shpesh shqetësohesh për rezultatet? Për shembull, gjatë një momenti të ngrohtë, mendon më shumë për mënyrën si do të përfundojë sesa për vetë eksperiencën? Kjo ndodh sepse ankthi e bën mendjen të kalojë përtej momentit të tanishëm.

Sekreti është të ndalosh së vrapuari pas “perfeksionit” dhe të mësosh të qëndrosh në të tashmen. Përqendroje vëmendjen te gjërat që të japin kënaqësi në moment: prekja, afërsia, buzëqeshja e partnerit/es. Kur i lë gjërat të ndodhin natyrshëm, e shijon më shumë momentin dhe forcon intimitetin mes jush.

3. Shmangia

A të ka ndodhur që, kur një situatë të duket shumë e vështirë ose e “rrezikshme” emocionalisht, të përpiqesh ta shmangësh plotësisht? Ankthi shpesh na nxit të shmangim bisedat e sinqerta, momentet e ndjeshme ose edhe përvoja të reja me partnerin/en, thjesht nga frika se mos ndodhin gabime.

Por shmangia është një armik i rritjes. Nëse nuk e sfidon veten të përballesh me frikërat e tua, marrëdhënia ngec në vend. Ndaj, në vend që të shmangësh, provo t’i afrosh. Shijo eksperienca të reja, inkurajo bisedat e sinqerta dhe prano ndryshimet natyrale që ndodhin në marrëdhëniet afatgjata. Vetëm duke u përballur me frikërat, do të ndërtosh një lidhje më të thellë dhe të shëndetshme.

Ankthi s’të lë të duash siç duhet

Intimiteti i vërtetë lind kur je i/e gatshëm/e të jesh i/ehapur, i/e pranishëm dhe i/e sinqertë. Nuk ka udhëzues për dashurinë, por pranimi është arma jote më e mirë kundër ankthit. Bëhu i/e vetëdijshëm/e për ndikimin që ai ka mbi ty dhe merr hapin për ta ndalur. Në fund të fundit, marrëdhëniet më të bukura ndërtohen kur lëmë pas frikën dhe përqafojmë të vërtetën e momentit.