Një ngjarje tronditëse u raportua dje në fshatin Sheqeras të Maliqit: Një e mitur dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një 43-vjeçar, Edison Shema, që është shpallur në kërkim.

Edison Shema është shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë të mitur për 4 vite, që kur vajza, tashmë 16 vjeçe, ishte 12.

Pas denoncimit të vajzës në prani të prindërve dhe psikologut, është bërë ekspertiza mjeko- ligjore për të vërtetuar abuzimin seksual.

Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se vepra penale e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur” është konsumuar.

Ndërsa Edison Shema ndodhet ende në arrati, bashkëshortja e tij ka folur jashtë kamerave duke mohuar akuzat, teksa u shpreh se është çështje inati.

“Nuk ndodhesha në shtëpi për dy ditë pasi më lindi motra. Më erdhi policia në shtëpi dje por nuk më thanë asgjë se për çfarë bëhet fjalë. Më pyetën vetëm për Edisonin por unë nuk kam mundur të komunikoj me të. E mora vesh nga lajmet akuzën.

Nuk ka shanse të jetë e vërtetë. Dyshoj që mund të jetë ndonjë çështje inati. Në dijeninë time, nuk ka ndodhur asnjëherë konflikt me familjen e vajzës, madje vajza dhe motra e saj vinin shpesh dhe këtu tek puna e Edisonit, më thërrisnin “teta”. Bashkëshorti im është njeri i rregullt, familjar, kemi 13 vite bashkë dhe tre fëmijë”, është shprehur bashkëshortja.

Ndërsa nëna e 43-vjeçarit të shpallur në kërkim, ka deklaruar se: “Babai i vajzës ishte shok i ngushtë me djalin tjetër që kam në Greqi. Kjo që na është bërë ne, është për shkak të konkurrencës sepse djemtë e mi janë shumë punëtorë.”

Edison Shema akuzohet se ka përdhunuar për 4 vite 16-vjeçaren. Sipas burimeve, abuzimi me vajzën ka filluar kur ajo ishte vetëm 12-vjeçe.

Ka qenë e mitura që ka denoncuar në prani të prindërve abuzimin që bënte autori, i cili ishte mik i babait të saj dhe kishin hyrje dalje familjare.

Prej 4 vitesh ai abuzonte dhe i bënte presion të miturës për të mos treguar asgjë. Ngjarja raportohet se ka ndodhur në një magazinë në pronësi të autorit, ku dyshohet të ketë dhe kamera sigurie prej ku do merren filmime nga serveri.