Tirana sot feston 80-vjetorin e Çlirimit, dita kur qyteti u çlirua nga pushtimi nazi-fashist.
Për të kujtuar këtë ngjarje të rëndësishme, në të gjitha institucionet arsimore të kryeqytetit janë organizuar aktivitete të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto nga disa prej shkollave të kryeqytetit, të cilat janë veshur me flamurin kuqezi.
“Sot, 80-Vjetori i Çlirimit të Tiranës! Aktivitete të nxënësve të shkollave të kryeqytetit, me rastin e Ditës së Çlirimit të Tiranës”- shkruan kryeministri Rama, teksa ka ndër punimet e nxënësve.
Çlirimi i Tiranës është një moment historik dhe konsiderohet si një nga operacionet më të rëndësishme dhe të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korparmatës I Sulmuese. Shtabi i korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.
Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës.
Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.
Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.
Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.