Pyetja që shtrohet shpeshherë për trojet shqiptare është: A e fali Enver Hoxha Kosovën tek jugosllavët? Historianë të ndryshëm japin versione të ndryshme, ku njëri prej tyre Paskal Milo është shprehur se Shqipëria nuk e kishte Kosovën dhe Enver Hoxha nuk kishte çfarë të jepte.

Romeo Gurakuqi i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV e hedh poshtë këtë version ndërsa u shpreh se Enver Hoxha kishte një platformë të qartë ku Kosova do të ishte pjesë e Serbisë.

“Në vitin 2011, fillova kërkimin arkivor për historinë shqiptare dhe ajo që zbulova ishte shumë larg së vërtetës. Kjo lidhet me rolin e Enver Hoxhës në raport me Kosovën gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Dy elementët që sollën humbjen e kontrollit të Kosovës ishte se Enver Hoxha lejoi që njësia nacionalçlirimtare e Kosovës të kalonte menjëherë në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë, duke e shkëputur atë nga qendra e Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare. Ky akt i dha hapësirë forcave jugosllave të konsolidonin kontrollin e tyre mbi Kosovën në dëm të interesave shqiptare.

E dyta ishte goditja e forcave nacionaliste shqiptare. Në zonën verilindore të Shqipërisë, Enver Hoxha dhe forcat partizane goditën rëndë udhëheqësit nacionalistë, të cilët kishin një qëndrim kombëtar dhe nuk ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve. Disa prej këtyre figurave ishin, vëllezërit Kryeziu, të cilët u asgjësuan pa qenë kolaboracionistë, Muharrem Bajraktari dhe një numër i madh nacionalistësh të Kosovës që përfaqësonin rezistencën ndaj dominimit jugosllav.

Vëllezërit Kryeziu, që u asgjësuan, nuk ishin kolaboracionistë, ashtu si Muharrem Bajraktari dhe shumë nacionalistë të tjerë nga Kosova. Pas largimit të gjermanëve, forcat nacionaliste nuk arritën të futeshin në Kosovë. Kalimi i divizioneve të pestë dhe të gjashtë shënoi fillimin e ndërhyrjes së forcave jugosllave, serbe, malazeze dhe maqedonase, të cilat bënë kërdinë në territorin e Kosovës pas shkurtit 1945.

Masakra e Tivarit më 1 prill 1945 është ndër ngjarjet më tragjike të kësaj periudhe. Dëbimi i burrave nga Kosova dhe rekrutimi me forcë në Prizren përfshiu kolona me mijëra të rinj, ku vetëm në masakrën e Tivarit u raportuan 500 të vrarë brenda një dite, ndërsa numri total i viktimave mbetet shumë i lartë dhe i paqartë” u shpreh historiani Romeo Gurakuqi për Dritare Tv