Shumë versione janë duke qarkulluar, në një pjesë të madhe prej personash jo ekspertë, në lidhje me ndihmën e parë që iu dha 14-vjeçarit Martin Cami, pas ngjarjes tragjike të goditjes me thikë, që i mori jetën.

Deri më sot, dëshmia më e drejtpërdrejtë mbi minutat pas goditjes që rezultoi fatale, është ajo e gruas që deklaroi edhe në disa emisione televizive, kur e pa të shtrirë përtokë, siç deklaroi ajo “e ngrita peshë dhe e hodha në makinë”. Më pas u nis me nxitim dhe u takua diku rrugës me autoambulancën, e cila e dërgoi në Spitalin e Traumës, aty ku 14-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Përtej angazhimit qytetar të zonjës në fjalë, dhembshurisë së shprehur nga ana e saj, hollësive që ajo ofroi për media të ndryshme në lidhje me minutat e fundit të Camit, janë disa pikëpyetje që ngrihen natyrshëm.

A duhet që në raste të tilla, kur ka persona të lënduar rëndë, qytetarë pa eksperiencë kur vjen fjala tek ndihma e parë, të ndërhyjnë, duke rrezikuar kështu që në vend se të shpëtojnë, ta rëndojnë më shumë gjendjen fizike dhe pasojat e plagëve të marra nga personat e lënduar?
Ekspertë të shëndetësisë të pyetur për këtë çështje, shprehen se është kategorike që ndihma e parë duhet të jepet prej profesionistëve. Dhe deri në mbërritjen e tyre, siç është protokolli mjekësor në Shqipëri dhe kudo në botë, duhet që të telefonohet Urgjenca, dhe pastaj të veprohet rigorozisht sipas udhëzimeve që jepen qoftë edhe përmes telefoni, nga ekspertët e saj, deri në mbërritjen e ndihmës së ekipeve përkatëse.
Por në disa lajme që qarkullojnë në media periferike apo rrjete sociale, këtë herë është shkuar përtej. Persona që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin, kanë hedhur aludime se nëse Autoambulanca do ta kishte dërguar 14-vjeçarin jo tek Trauma, por në QSUT, ai mund të kishte mbijetuar.

Madje kanë shkuar më tej, duke përmendur urdhëra ministrash, që sipas po këtyre versioneve të hedhura në qarkullim, i detyrojnë Autoambulancat të shkojnë në Spitalin e Traumës.
Sërish ekspertë të Urgjencës, shprehen se aludime të tilla janë krejt të pabaza. Urgjenca Kombëtare funksionon sipas protokolleve të mirëpërcaktuara mjekësore, dhe në të gjitha rastet e traumave, personat e lënduar dërgohen pikërisht në spitalin e traumës, atje ku, po sipas tyre, ekzistojnë të gjitha mjetet e nevojshme për të trajtuar rastet e traumave, ashtu sikurse dhe personeli mjekësor.

“Spitali i Traumës trajton nga të gjitha llojet e aksidenteve, nga më të rëndat, si ato automobilistike, me objekte që prekin apo futen në trupin e njeriut, e deri tek rëniet nga lartësitë, dhe padyshim që këto nuk do të mund të trajtoheshin, nëse nuk do të ekzistonin personeli i duhur dhe mjetet e nevojshme”, shprehen ata. Ndërkohë që shtojnë se nuk ekziston një urdhër ministri, pasi është e qartë që veprohet sipas protokolleve mjekësore.

Profesionistët shprehen me keqardhje për aludimet e hedhura në qarkullim, që sipas tyre nuk janë thjesht të pavërteta, por ndikojnë për ta shtuar dhimbjen edhe kështu shumë të madhe të prindërve dhe familjarëve të 14-vjeçarit që humbi jetën në mënyrë tragjike.