Admirali i lartë i NATO-s Rob Bauer u ka bërë thirrje biznesmenëve të hënën që të përgatisin një “skenar lufte” dhe të rregullojnë prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve në mënyrë që të jenë më pak të ekspozuar ndaj shantazheve nga Rusia dhe Kina.

“Nëse ne jemi në gjendje të sigurojmë të gjitha produktet dhe shërbimet, kjo është një pjesë kyçe e parandalimit tonë”, tha admirali holandez që është kreu i komitetit ushtarak të NATO-s në Bruksel.

Duke folur në një konferencë të Qendrës së Politikave Evropiane ai tha se parandalimi përfshin më shumë se vetëm aftësi ushtarake, pasi të gjitha instrumentet e disponueshme përdoren në luftë.

Ne jemi dëshmitarë të sabotimeve gjithnjë e më shumë dhe Evropa tashmë e ka përjetuar këtë në furnizimin me energji. Ne menduam se kishim një marrëveshje me Gazprom, por në fakt kishim një marrëveshje me zotin Putin. E njëjta gjë vlen edhe për infrastrukturën dhe produktet kineze. Ne në fakt kishim një marrëveshje me zotin Xi”, tha Bauer.

Bauer paralajmëroi për varësinë e Perëndimit nga Kina, prej nga vijnë 60% e metaleve të rralla dhe ku 90% e tyre përpunohen. Nga Kina mbërrijnë edhe përbërës kimikë për qetësues, antibiotikë, antiinflamatorë dhe ilaçe për presionin e lartë të gjakut.

“Ne jemi naivë nëse mendojmë se Partia Komuniste nuk do të përfitojë nga kjo fuqi. Biznesmenët nga Evropa dhe Amerika duhet të kuptojnë se vendimet e biznesit që marrin kanë pasoja strategjike për vendet e tyre. Biznesmenët duhet të përgatisin një skenar lufte dhe të përshtatin prodhimin dhe shpërndarjen e tyre me të. Ushtria fiton betejat, dhe ekonomitë fitojnë luftëra”, tha më tej Bauer.