Nga Mero Baze/

Shpërthimi i një kanali uji me rëndësi strategjike për Kosovën, në veri të saj, ka shkaktuar një debat të madh në Kosovë dhe jashtë saj, rreth të ardhmes së konfliktit Kosovë-Serbi, në kushtet e reja të rritjes së ndikimit rus në Ballkan dhe ndryshimeve politike në Uashington.
Debati, mbi të gjitha, nxit nevojën e rikthimit në shina të dialogut Kosovë-Serbi dhe një plani të qartë të Perëndimit për ta shtyrë përpara këtë axhendë.

Brenda në Kosovë, debati është kthyer në çështje elektorale. Albin Kurti vesh çizme dhe shkon të inspektojë mbylljen e vrimës në kanal, a thua se është çështje trimërie të mbyllësh një vrimë në një kanal. Ndërkohë, kundërshtarët e tij e akuzojnë se, bashkë me Vuçiqin, ndihmojnë njëri-tjetrin në zgjedhje përmes incidenteve etnike, që të mbijetojnë politikisht.

Problemi i sulmit në veri të Kosovës nuk është as çështje teknike, se si riparohet një kanal, dhe as çështje e sigurisë së brendshme, se si mund të ruhet një kanal pa u hedhur në erë. Nuk ruhet, edhe sikur Albin Kurti të reshtojë gjithë anëtarët e Vetëvendosjes në çdo metër linear të kanalit. Ndaj, mos fajësoni kot qeverinë për sigurinë në veri.

Siguria në veri të Kosovës nuk ruhet dot nga Prishtina, por nga Uashingtoni dhe Brukseli. Sa më shumë që Prishtina izolohet nga Uashingtoni dhe Brukseli, aq më e pasigurt është veriu dhe gjithë Kosova. Sa më shumë që Kosova është në anën e Perëndimit dhe e identifikuar fort me të, aq më pak do të guxojnë të prekin veriun e saj dhe gjithë Kosovën.

Albin Kurti nuk ka dështuar duke mos ruajtur kanalin e ujërave Ibër-Lepenc, por ka dështuar duke mos ruajtur raportet e mira të Kosovës me Uashingtonin dhe Brukselin. Ai ka futur vendin nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe ka çuar raportet me SHBA në pikën më të ulët historike të Kosovës që nga viti 1990.

Përkundër kësaj, Serbia ka forcuar raportet bilaterale me shumë vende të rëndësishme të Evropës, anëtare të Bashkimit Evropian, dhe është në ekstazë nga fitorja e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk do të thotë që SHBA do të favorizojë Serbinë, por ama është një raport i përmbysur i Serbisë nga armike e SHBA në partnere me të, përballë një Kosove që është shtet i krijuar nga SHBA dhe tani ndodhet në pikën më të ulët të marrëdhënieve.

Skenat propagandistike në Prishtinë, ku njëri vesh çizmet për të mbyllur kanalin, e të tjerët përballë tij e akuzojnë për rakordim me Vuçiqin, janë për konsum të brendshëm, por nuk zgjidhin asnjë problem. Kosova duhet të rikthejë partneritetin e saj me SHBA dhe BE, së paku në pikën ku ka qenë para ardhjes së Albin Kurtit në pushtet. Për këtë arsye, kryeministri nuk ka nevojë të blejë çizme të prodhuara në Serbi për të shkuar të mbyllë një kanal uji që serbët e hedhin në erë, dhe as të terrorizojë shqiptarët se janë në prag lufte.

Kosova ka qenë në luftë me Serbinë dhe besonte tek fitorja, sepse kishte Perëndimin me vete. Tani është vend i lirë dhe është i terrorizuar nga lufta vetëm se qeveria e ka futur në luftë me Perëndimin dhe tani kërkon ndihmë, sepse ka mbetur e vetme përballë një çete kaçakësh serbë që hedhin në erë një kanal uji për t’i treguar se e kanë në dorë.

Kosova duhet të ngrejë stekën si shtet dhe t’i tregojë Serbisë se ajo nuk e ka problemin tek ndërprerja e një kanali uji, por tek ndërprerja e komunikimit me ata që e themeluan: SHBA dhe BE. Kur ta ngrejë debatin në këtë nivel, nuk shkon njeri të prishë kanale uji, sepse e dinë çfarë i pret.

Tani, po e ul stekën nga Uashingtoni e Brukseli tek odat e Vetëvendosjes në Kosovë, natyrisht që nuk do të flasësh më me Presidentin e SHBA dhe Kryekomisionerin e BE, por me Radojçiqin dhe ndihmësit e tij. Dhe nëse ata arrijnë ta tërheqin Kosovën në kurthin e tyre, natyrisht që jo vetëm e dëmtojnë, por edhe e poshtërojnë, duke e trajtuar si një vend vasal që mund ta lënë dhe pa ujë.

Ndaj, Albin Kurti nuk duhet të sillet si rojtar kanalesh, por si roje e shtetit të Kosovës, sovraniteti i së cilës garantohet nga NATO, SHBA dhe BE. Fatkeqësisht, tre institucione të cilave ai u ka shpallur luftë.