Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, reagoi pas barazimit pa gola të Shqipërisë ndaj Çekisë në Ligën e Kombeve.

Duka falënderoi lojtarët për angazhimin në fushë, si dhe stafin e tifozët.

Sipas tij, do të ishte më mirë, nëse do të ishin kursyer vërshëllimat e himni i Çekisë.

“Barazuam në shtëpi me Çekinë, një kundërshtar i fortë që kryeson grupin tonë në UEFA Nations League. Falënderoj djemtë e ekipit për angazhimin në fushë, stafin, si dhe tifozët për mbështetjen e dhënë nga shkallët e stadiumit.

Nëse do i kursenim ato vërshëllima në momentin e himnit të Çekisë do të ishte edhe më mirë. Tani le të mendojmë për ndeshjen e së martës me Ukrainën, të cilën duhet ta luajmë si finale. Me besim dhe me mbështetjen e tifozëve, mund t’ia dalim”, shkruan Duka.

Shqipëria barazoi pa gola ndaj Çekisë dhe mban vendin e tretë në grup me 7 pikë të grumbulluara.