Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, njëkohësisht edhe drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Disporën, zhvilloi një takim me drejtuesit e shoqatave shqiptare që veprojnë në Selanik, Greqi. Diskutimet u përqendruan në disa çështje kyçe që prekin komunitetin shqiptar në këtë vend, duke përfshirë mësimdhënien në gjuhën shqipe, nevojën për një qendër kulturore, dhe problematikat lidhur me dokumentacionin e qëndrimit dhe njohjen e pensioneve.
Gjatë takimit, Balla theksoi rëndësinë e rolit të diasporës shqiptare në ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar, duke vënë në dukje se shoqatat kanë ndihmuar në integrimin e bashkëkombasve dhe përforcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
“Shoqatat dhe diaspora shqiptare në Greqi kanë luajtur një rol kyç për të ndihmuar bashkëkombasit të integrohen, duke ruajtur njëkohësisht kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar. Të gjithë ju që jeni këtu përfaqësoni jo vetëm organizata, por mbi të gjitha përfaqësoni rrënjët tona, identitetin tonë dhe lidhjet që kemi ndërtuar ndër vite. Angazhimi juaj i përditshëm dhe përkushtimi i pakursyer janë një shembull për të gjithë ne”, u shpreh ai.
Një temë e veçantë diskutimi ishte promovimi i gjuhës dhe kulturës shqiptare. Balla njoftoi se, falë një iniciative ligjore nga qeveria shqiptare, mësuesit që japin mësim në gjuhën shqipe në diasporë do të paguhen për kontributin e tyre, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për të kompensuar neglizhimin e viteve të fundit.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj shtetit grek për mikpritjen që ka thelluar miqësinë mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Balla ftoi gjithashtu komunitetin shqiptar që të kontribuojë me njohuritë dhe eksperiencën e tyre për përparimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit europian.