Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se ndërtimi i Parkut të madh turistik “Divizioni”, në Bulqizë do ta rivitalizojë ekonominë, turizmin dhe jetë social shoqërore në të gjithë qarkun e Dibrës.

E pranishme në takimin e lançimit të këtij projekti në Bulqizë, Balluku tha se, sot merr jetë premtimi i kryeministrit Edi Rama për ta investuar në këtë zonë me projekte dinjitoze që i shërbejnë zhvillimit ekonomik, turistik dhe historik të zonës.

Sipas saj, ky investim është një model inovativ i zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për vizitorët dhe turistët gjithnjë e më të shumtë të Veriut të Shqipërisë, e posaçërisht të qarkut Dibër, ku rruga e Arbërit ka sjellë një ndryshim të madh në shumë drejtime dhe ku me hapjen më në fund edhe të Tunelit të Murrizit, Dibra do të bëhet përfundimisht jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë.

“Divizioni” i rilindur do të ketë një destinacion turistik mikpritjeje, me treg turistik prodhimesh të zonës, hoteleri dhe shërbime, për ata që do të duan të ndalen kalimthi apo të qëndrojnë më gjatë në eksplorimin e natyrës magjike të kësaj zone.