Deputeti Lulzim Basha kërkon që të jetë pjesë e sallës së Këshillit të Evropës, në delegacionin shqiptar mes demokratëve, me argumentin se po punon për rimëkëmbjen e Ukrainës. Në një shkresë dërguar Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, Basha shprehet se largimi i tij nga delegacioni, do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë.

Kërkesa e Bashës vjen pasi më 2 shtator, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se me kërkesë të Gazment Bardhit e kishte hequr Lulzim Bashën dhe e kishte zëvendësuar me Albana Vokshin.

Por, siç duket, Basha nuk pranon që në karrigen e tij të ulet Vokshi.

“Siç është botërisht e njohur, unë jam ngarkuar në detyrën e Raporterit për Mbështetjen Rindërtimit te Ukrainës, detyrë të cilën vazhdoj ta kryej deri më datë 16 prill 2025, në lidhje me mekanizmat për konfiskimin e aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të Ukrainës. Ne këto rrethana, Kërkesa për zëvendësimin tim përben jo vetëm shkelje te rregullave te Asamblesë por edhe një veprim që cenon imazhin e Shqipërisë ne raport me përkushtimin e saj krah vendeve anëtare të Këshillit të Europës për mbajtjen përgjegjëse te Federatës Ruse për shkatërrimin dhe krimet e kryera gjatë agresionit te saj te paligjshëm kundër Ukrainës.”, thuhet në letrën e Bashës për Kuvendin, raporton gazetarja Esiona Konomi për Shqiptarja.com.

Report Tv shton gjithashtu se ka pyetur Këshillin e Evropës nëse ky rol raportues që ka Lulzim Basha, është i pa transferueshëm tek dikush tjetër. Dhe në përgjigje, konfirmohet se Basha është ende anëtar i Asamblesë, edhe për pak kohë, por jo për shkak të punës së tij për rindërtimin e Ukrainës.

“Në mungesë të dorëheqjes, z. Basha mbetet anëtar deri më 27 janar 2025 (në mëngjes). I takon Kuvendit të Shqipërisë, kur të dorëzojë kredencialet e delegacionit të tij për hapjen e sesionit të janarit 2025, të modifikojë përbërjen e tij duke zëvendësuar zotin Basha me zonjën Vokshi, në përputhje me vendimin që mori shtatorin e kaluar,”- argumenton në përgjigjen e saj, Nathalie Bergellini, zëdhënëse e KiE

Rrjedhimisht, Basha do të duhet të lirojë vendin e tij në fund të janarit të vitit 2025, pasi nuk do të mund të përfaqësojë më Shqipërinë në sallën e Këshillit të Evropës.