Banka e Shqipërisë njoftoi se duke filluar nga data 15 nëntor do të hidhen në qarkullim monedhat metalike me vlerë nominale 100 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.

Sipas Bankës Qendrore, këto monedha metalike, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me emetimin e fundit të kësaj prerjeje.

Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2023” si dhe tek drejtshkrimi i fjalëve “Lekë”, “Mbretëresha” dhe “Shqipërisë”.

Pas rreth dy javësh këto monedha do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.

Ndërkohë, më 28 maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë hodhi në qarkullim monedhat metalike me vlerë nominale 10 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.

Hedhja në qarkullim i monedhës kombëtare “lek” është detyrë ekskluzive e Bankës së Shqipërisë. Ajo përcakton format, peshat, masat, modelin dhe karakteristikat e tjera të kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare, me kurs ligjor brenda vendit.