Në prezantimin e projekt/buxhetit të Arsimit dhe Sportit në Kuvend, Ministrja Ogerta Manastirliu tha se ky është buxheti me rritjen historike, me + 100 milion euro për sektorin e arsimit dhe sportit.
“Sot buxheti që ne prezantojmë për 2025 prezanton shëmbëlltyrën e vizionit tonë, që ka për qëllim fuqizimin e sistemit arsimor, mbështetjen për mësuesit, rritjen e aftësive dhe mundësive për nxënësit, përmirësimin e infrastrukturës së shkollave tona, financimin e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor, mbështetjen studentore dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit në vend. Buxheti 2025 për Arsimin dhe Sportin, kap vlerën 62 miliard lekë ose 18.8% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2024, plus 100 milion euro më shumë për arsimin për vitin 2025 dhe kjo është e vërteta, këto janë faktet”, tha Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend.
Ministrja Manastirliu u shpreh se në zemër të këtij projektbuxheti është përmirësimi i kushteve të punës, rritja e dinjitetit për 31 mijë mësues duke i mbështetur me paga dhe mundësi për zhvillim profesional.
“Për ne, mësuesit janë bazë për cilësinë në arsim dhe puna e tyre meriton vlerësim të vazhdueshëm, e do të vijojmë ta bëjmë, do të vijojmë të rrisim pagat për mësuesit. Ky buxhet mbështet me afro 9 miliard lekë politikën e re të pagave që u bë efektive në korrik të vitit 2024 dhe që e çoi pagën mesatare për mësuesit në masën 950 euro duke mbështetur 2100 mësues ndihmës që kujdsen për fëmijët me aftësi speciale, plus 200 mësues më shumë se 1 vit më parë”, tha Manastirliu.

Duke folur për investimet, Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha:
“Buxheti 2025 mbështet në vlerën 5.4 miliard lekë, investimet në shkolla, terrene sportive dhe infrastrukturën e universiteteve dhe kërkimit shkencor. Për arsimin parauniversitar 3.1 miliard lekë mbështet buxheti 2025 investimet në infrastrukturën e shkollave, investime që janë të domosdoshme për të krijuar një mjedis të sigurt dhe tërheqës për nxënësit tanë, të gjitha me parametra bashkëkohore dhe të gjitha me sistemin e ngrohjes, plus 40 shkolla po investohen nga cikli 2024-2025 dhe dhjetra kantiere të tjera po hapen për objektet arsimore. Rritja e aftësive digjitale si një proritet do të garantojë në ciklin 2025-2026, 654 laboratorë smart të cilat do të përmbyllin objektivin e shkollave me laboratorë inteligjent për të rritur aftësinë digjitale të nxënësve”, tha Manastirliu.
Buxheti i 2025 mbështet politikën e teksteve falas për 240 mijë nxënës çdo vit në vlerën 1 miliard lekë; rimbursimin e transportit për 12 mijë mësues dhe 38 mijë nxënës në vlerën 1.3 miliard lekë në vit.
Porgrami ‘Art dhe Zeje’ do të shtrihet në plus 100 shkolla me 120 milion lekë me synimin e zhvillimit të talenteve dhe prirjeve për nxënësit dhe zhvillimin e programeve jashtëshkollore. Për nxënësit me aftësi ndryshe buxheti i 2025 do të mbështesë qendrat burimore, rritjen e kapaciteteve të stafeve arsimore dhe rritjen e shërbimeve arsimore me qëllim më shumë gjithëpërfshirje dhe më shumë integrim në shkolla. Do të mbështeten përmes bursave 3.800 nxënës në nevojë në arsimin parauniversitar.
Buxheti 2025 parashikon një mbështetje domethënëse për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në vlerën 14.5 miliard lekë, që do të mbështesin mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, 11.5 miliard dhe 1.5 miliard lekë për infratukturën e arsimit të lartë duke synuar rritjen e cilësisë dhe konkurueshmërisë të insitucioneve tona.

Do të përmbyllen investimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, rikonstruksioni i Fakultetit të Gjeologji-Minierave dhe ndërtimi i Muzeut të Gjeologjisë në Universitetin Politeknik të Tiranës, ndërtimi i Fushës së Futbollit dhe Pistës së Atletikës në Universitetin e Sporteve, Ndërtimi i Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin e Durrësit si dhe ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Elbasanit.
Në 2025 do të hapet një investim i rëndësishëm për ndërtimin e Kampusit të Kolegjit të Europës, i cili këtë vit hapi kampusin e tij në Tiranë dhe Programi i Ndërkombëtarizimit i cili do të zgjerohet me hapjen e Kampusit të Universitetit të Compiegne, Francë, i cili synon hapjen e kampusit në Universitetin Politeknik të Tiranës si dhe mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe BOKU të Vjenës.

“Për Sportin, buxheti do të rritet me 10%, krahasuar me vitin 2024, duke e çuar mbështetjen buxhetore ne 632 milion e duke mbështetur infrastrukturën sportive në shkolla në vlerën 220 milion lekë, duke mbështetur federatat sprtive dhe sportistët elitar për arritjet e tyre.
Ky projektbuxhet nuk është thjesht buxheti më i lartë historik për arsimin, është rruga e pandalshme për arsim më cilësor, më gjithëpërfshirës që mbështet të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve dhe vendit tonë për të çuar drejt standardeve më të mira, drejt familjes Europiane”, tha Manastirliu.