Në seancën e sotme në Kuvend për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e investimeve të realizuara në arsim. Një ndër pikat e rëndësishme të investimit është rritja e pagave për mbi 31 mijë mësues, me një rritje deri në 40% brenda mandatit qeverisës. Ministrja Manastirliu tha se: “Aktualisht, paga mesatare e mësuesve ka arritur në 950 euro në muaj, ndërkohë që janë dyfishuar shpërblimet për ata që përfitojnë titujt “mësues i kualifikuar” dhe “mësues specialist.” Modernizimi i infrastrukturës arsimore dhe digjitale ka qenë prioritet për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për përmirësimin e kushteve në shkolla, jo vetëm për procesin mësimor, por edhe për aktivitete jashtëshkollore, duke i kthyer shkollat edhe në qendra tërheqëse për komunitetin.
“100 objekte kanë përfituar nga buxhetimi por dhe në partneritet me bashkitë dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, sikurse është ai i BE-së për shkollat. 40 kantiere të reja janë hapur gjatë vitit 2024 në më shumë se 30 bashki duke synuar modernizimin e kushteve në shkollat tona, me klasa, ambiente laboratorike, palestra e ambiente rekreative jo vetëm për zhvillimin e orëve mësimore, por edhe ato jashtëshkollore, pasi shkollat po kthehen gjithnjë e më tepër në qendra tërheqëse për komunitetin”, tha Manastirliu.
Në drejtim të digjitalizimit, Ministrja tha se 216 laboratorë SMART janë shtuar në 200 shkolla në të gjithë vendin, duke e çuar në 300 numrin e institucioneve që tashmë ofrojnë platforma interaktive për mësimin dhe zhvillimin e aftësive digjitale.
“Përmes këtyre investimeve, po i japim mundësinë 35 mijë nxënësve që të rrisin aftësitë e tyre përmes teknologjisë. Investimi në SmartLabs do të vijojë në 600 shkolla të tjera në dy vitet në vijim” shtoi Manastirliu.
Ministrja theksoi gjithashtu mbështetjen sociale për nxënësit dhe studentët, duke përfshirë shpërndarjen e teksteve shkollore falas për mbi 238 mijë nxënës dhe ofrimin e rreth 3500 bursave për nxënësit në nevojë, mbështetjen për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin degët prioritare si dhe student ekselentë.
Investimet e qeverisë për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor kanë qenë një tjetër prioritet.
“Me ndërkombëtarizimin e universiteteve kemi marrë masa konkrete dhe kemi bërë arritje të prekshme në këtë drejtim që nga Fakulteti i i Gjeologjisë, nga i Arkitekturës dhe Urbanistikës te ai i Durrësit buxheti po mbështet në infrastrukturës dhe gjithashtu me ngritjen e laboratorëve të rinj apo pajisjen me aparatura modern të atyre ekzistues, duke rritur cilësinë e mësimdhënies, por edhe duke nxitur kërkimin shkencor. Po ashtu u hapet udhë edhe shërbimit ndaj të tretëve. Është rritur mbështetja për kërkimin shkencor dhe inovacionin, duke rritur ndjeshëm numrin e projekteve të mbështetura nga buxheti i shtetit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, por edhe numrin e kërkuesve, pedagogëve, studentëve pjesëmarrës në këto projekte.”, tha Ministrja Manastirliu, duke theksuar se të gjitha këto investime kanë ecur paralelisht me përpjekjen për të ngritur cilësinë e arsimit të lartë përmes reformimit, profilizimit, ndërkombëtarizimit, bashkëpunimeve me institucione ekselente ndërkombëtare, por edhe duke rritur konkurrencën përmes shtimit të ofertës akademike, që ofrojnë në vendin tonë tashmë institucione elitare si Kolegji i Europës dhe UNED, teksa pritet të ngrihen filialet e Universitetit Teknologjik të Stambollit dhe Universitetit Teknologjik të Compiegne, Francë.