Fitorja e Donald Trump shënon një nga rikthimet më dramatike në historinë e politikës amerikane. Katër vite pasi la Shtëpinë e Bardhë, Trump rikthehet pasi miliona amerikanë i dhanë atij një shans të dytë. Por cilat janë arsyet që votuesit e mbështetën këtë herë?

Fushata e tij elektorale ishte intensive dhe plot tensione historike: Trump i mbijetoi dy atentateve dhe kundërshtari i tij fillestar, Presidenti Joe Biden, u tërhoq nga gara vetëm disa muaj para ditës së zgjedhjeve. Në ditën e zgjedhjeve, më 5 nëntor, amerikanët në shtetet kyçe votuan masivisht për të, duke e cituar ekonominë dhe emigracionin si shqetësimet kryesore.

Triumfi i Trump ndodhi pavarësisht uljes së popullaritetit të tij. Ai nuk pranoi humbjen në zgjedhjet e 2020-s dhe luajti një rol të diskutueshëm në përpjekjet për të ndryshuar rezultatet. Trump u akuzua për nxitje të sulmit të dhunshëm në Capitol Hill më 6 janar 2021 dhe u dënua për falsifikim të të dhënave financiare në bizneset e tij.

Megjithatë, është e qartë pse Trump mbetet një figurë përçarëse. Gjatë fushatës së tij, ai përdori një retorikë të ashpër, duke bërë shaka të hidhura dhe duke kërcënuar me hakmarrje kundërshtarët e tij politikë. Sërish, shumë votues u përqendruan tek pyetja e tij e thjeshtë: “A jeni më mirë tani se disa vite më parë?”

Në një situatë ku shumica e njerëzve e konsideronin ekonominë si çështjen kyçe dhe kujtonin se situata ekonomike ishte më e mirë gjatë presidencës së tij, ata vendosën t’i japin votën.

Pavarësisht se faktorët kryesorë të inflacionit ishin të jashtëm, si pandemia e COVID-19 dhe konfliktet globale, shumë votues fajësuan administratën në largim për përkeqësimin e saj.

Në lidhje me emigracionin, votuesit ishin gjithashtu të shqetësuar për fluksin e emigrantëve të paligjshëm, që sipas tyre kishte arritur nivele të larta gjatë qeverisjes së Biden. Edhe pse shumë prej tyre nuk ndanin pikëpamjet më të ashpra të Trump për emigrantët, ata kërkonin një kontroll më të rreptë të kufirit.

Slogani “Amerika e Para” mbeti po aq ndikues sa më parë. Në të gjithë vendin, si votuesit e majtë, edhe ata të djathtë shprehnin pakënaqësi për miliardat e dollarëve të shpenzuara në mbështetje të Ukrainës, në një kohë kur shumë mendonin se ato fonde mund të shpenzoheshin më mirë në vend.

Në fund, zgjedhja e zëvendës-presidentes Kamala Harris si trashëgimtare politike e Biden nuk bindi votuesit, të cilët ndjenin nevojën për ndryshim dhe kishin frikë se ajo do të ndiqte të njëjtin drejtim./ Euronews Albania