Ilir Demalia i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV ka treguar dy histori të të atit Binak Haxhia Demalia, ish-oficer i Sigurimit të Shtetit (Kundërzbulimi) në vitet 1950-1970, me Sali Berishën.
Njëri rast është kur i thotë avokatit Spartak Ngjela, që mos shkojë te partia e Berishës, sepse ishte mbushur me spiunë të Sigurimit, edhe një rast tjetër kur donte të takonte Berishën për t’i përcjellë një paralajmërim, takim që dështoi.
“Berishën e njoh prej 60 vjetësh. Më ka ardhur edhe në shtëpi. Ishte mik me babanë. Pas 90-ës babai im Binaku i tha Spartak Ngjelës: “Avokat mos u afro atje, janë të gjithë spiunët e sigurimit të shtetit. Mjerë Shqipëria çfarë ka për të hequr prej këtij.” Po ju tregoj edhe një histori tjetër të babait.
Berisha është gjallë, edhe ish-sekretari i Presidencës është gjallë, Kolec Topalli. Unë kisha ikur nga Shqipëria dhe kisha takuar Leka Zogun. Ishte shpërndarë një foto e imja me Leka Zogun në Paris.
Babai shkon i kërkon takim Berishës për t’i treguar atë që kishte zbuluar, pra për t’i thënë mesazhin: “Ki kujdes nga shqiptarët që vijnë nga Ish-Jugosllavia, dhe emigracioni sepse ka njerëz që janë në bashkëpunim. Janë me dy firma.” Del Kolec Topalli i thotë: “Nuk ka kohë presidenti, por ma ço me shkrim çfarë halli ke.”
Ndërsa Binaku i tha: Nuk kam asnjë hall. Rroftë Leka i parë, mbreti i shqiptarëve”
Binaku as nuk ka qenë asnjëherë me monarkinë. Që atë ditë babai nuk ka folur më me Berishën”, tregoi Demalia.