Tirana dhe Partizani do përballen të diel në orën 19:00 në “Air Albania”, me javën e 15-të në Superligë që vendos përballë dy skuadrat në derbin e kryeqytetit për herë të 176-të në histori.
Për mediet këtë të shtunë foli trajneri i “Demave”, Aleksandar Veselinovic. Serbi tha se kanë përballë një ekip të madh dhe me histori, por detyra e tyre është të fitojnë tri pikët për t’u shkëputur në krye të renditjes.
Dueli nesër do luhet me tifozë, teksa serbi ka një apel që gjithçka të kthehet në festë dhe mos ketë përplasje mes palëve.
Gjendja e ekipit – Djemtë janë gati për të luajtur. Nesër do të luajmë përballë një skuadre të madhe si Tirana. Mendoj që është një vendim i drejtë i Federatës që kjo ndeshje do të luhet me tifozë. Eshtë diçka shumë e mirë pasi të gjithë do të jenë pjesë e kësaj ndeshje speciale të futbollit shqiptar. Mesazhi im për të gjithë ata që do të jenë nesër prezent në këtë derbi duhet të mendojnë vetëm një gjë, është një mbrëmje festive për kryeqytetin dhe Shqipërinë.
Tirana me trajner të ri – Mendoj që nuk është korrekte nga ana ime të komentoj çfarë ndodh brenda klubeve të tjera. Unë jam pjesë e Partizanit . Duhet të mendoj vetëm rreth skuadrës tonë dhe jo për ato gjëra që ndodhin jasht klubit tonë.
Jam i sigurtë që Tirana është një klub i madh me shumë traditë dhe histori. Jam i bindur që njerëzit brenda klubit të Tiranës kanë idetë e tyre të qarta për vendimet që marrin. Por ne duhet të mendojmë për vetën tonë dhe vetëm për Partizanin.
E kam thënë edhe më parë që ky kampionat është si një maratonë. Ne duhet të mendojmë hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshje për të marrë tri pikët e radhës. Deri në fund të kampionatit rruga do të jetë e gjatë.
Tirana është një prej klubeve të mëdha në Shqipëri dhe është konkurrente së bashku me Dinamon, Egnatian, Vllazninë. Në këtë moment duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i marrim gjërat hap pas hapi. Duhet të përqëndrohemi vetëm te vetja jonë dhe idetë tona.
Kundërshtari – Sigurisht që e kemi analizuar. Puna jonë është t’i analizojmë të gjithë kundërshtarët. Por nuk mund t’ju them strategjinë që do të përdorim nesër, më mirë ta mbajmë brenda familjes. Do ta shikojmë nesër si do të funksionojë strategjia që do të përdorim. Kemi respekt për kundërshtarin. Edhe ata na kanë analizuar ne. Unë i respektoj të gjithë ekipet kundërshtare”, tha serbi Veselinovic.
Pas 14 javëve të para të sezonit, Partizani me 27 pikë mban kreun e renditjes, ndërsa Tirana me 15 pikë ndodhet në vendin e shtatë.
Historia e derbit
175 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës në periudhën 1947-2024 në të gjitha kompeticionet; Kupë dhe kampionat. Partizani ka fituar më shumë sesa Tirana në derbi, plot 73 ndeshje.
Bardheblutë numërojnë 47 fitore, ndërkohë që 55 ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim.
Partizani nuk humbet në derbi që nga dhjetori i vitit 2022, kur i mposhte Xhixha me një paraqitje fantastike dhe dopietë. Dueli i fundit mes tyre, ai i këtij sezoni për javën e gjashtë u mbyll 0-0 më 21 shtator 2024 në “Air Albania”.