Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të hënë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, ku pas një sherri ka mbetur viktimë një 14-vjeçar.

Manastirliu thotë se pas kësaj ngjarjeje të rëndë duhet reflektim dhe se nevojitet forcimi i mekanizmave të parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë.

“Jam e tronditur nga humbja e jetës së një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës ‘Fan Noli’, ndërkohë që policia po zbardh rrethanat e ngjarjes. Dhimbja është vërtetë e madhe”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kjo është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë.

“Na fton që si përfaqësues të qytetarëve të angazhohemi më shumë për ambient më të sigurt për fëmijët tanë. Të forcojmë edhe më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë, duke luftuar dhunën e të gjitha formave”, ka vijuar ajo.

“Edhe ne kemi rolin tonë në këto seanca. Të jemi shembull të mos promovojmë gjuhën e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit dhe të promovojmë vlerat e respektit për njëri-tjetrin”.