Po shkojnë drejt përfundimit punimet për parkimin e ri në Manastirin e Zvërnecit në Vlorë. Projekti ka hyrë në fazën finale, duke siguruar 120 vende parkimi për automjete dhe hapësira të dedikuara për autobusët, për t’i kthyer kështu më shumë hapësirë një zone shumë të frekuentuar nga turistët.
Bashkë me gjelbërimin, ndriçimin modern dhe hapësirat e pushimit, parkimi është një investim i domosdoshëm që pritet të lehtësojë qarkullimin dhe të ofrojë më shumë akses për të gjithë vizitorët e trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore të Manastirit të Zvërnecit.
Ky projekt i realizuar nga Bashkia Vlorë me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit tashmë ka hyrë në fazën finale.
Manastiri i Zvërnecit daton në shek. XIV. Ai rrethohet nga ujëra të kristaltë, mbart histori dhe është një destinacion i rëndësishëm për pelegrinët dhe vizitorët që kërkojnë qetësi dhe lidhje me natyrën e besimin.
Projekti për parkimet në Zvërnec, përfshin përdorimin e materialeve të qëndrueshme dhe përpjekjet për të zvogëluar ndikimin e dioksidit të karbonit (CO2) nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së energjisë së rinovueshme.