Ish-futbollisti i përfaqësueses së Ukrainës, Igor Zhabçenko, është pesimist për bashkëkombësit e tij para ndeshjes së fundit në grup ndaj Shqipërisë. Sipas tij, Ukraina ka bërë gjithçka gabim dhe tashmë është e “dënuar” që të përfundojë në vendin e fundit në grup.
“Faza e grupeve e Ligës së Kombeve po shkon drejt fundit dhe duhet të pranojmë që në asnjë nga ndeshjet e luajtura, performanca e Ukrainës nuk ka lënë mbresa të plota. Kishte periudha të mira, të cilat ndiqeshin nga ato të tmerrshme dhe kjo është arsyeja se pse shkojmë te ndeshja vendimtare me Shqipërinë në vendin e fundit.
Mendoj se nesër ekipi i Ukrainës do të bëjë çdo përpjekje të mundshme për të kthyer situatën në favorin e vet dhe të ketë një avantazh për të shmangur rënien direkte. Ata edhe do të shënojnë, por nuk do të mjaftojë për të fituar, pasi nuk do të arrijnë të mbajnë rrjetën e paprekur. Do të mbyllet me barazimin 1-1, që nuk na shkon aspak për shtat. Gjithçka për faj të dështimeve të pafat në mekanizma e ekipit”, parashikoi ish-futbollisti ukrainas.