Në vitet e fundit, debati për historinë dhe rolin e luftës partizane në Shqipëri është bërë gjithnjë e më i nxehtë, duke u shoqëruar me akuza dhe reagime të forta nga të gjitha anët. Ish-kryeministri Sali Berisha, një figurë kyçe e politikës shqiptare, ka sulmuar ashpër luftën partizane dhe luftën e Shqipërisë për çlirimin nga pushtuesit nazifashistë, duke e shndërruar këtë çështje në një betejë ideologjike. Dje ai akuzoi partizanët se kanë kryere luftë vëllavrasëse, teksa u shënua 17 Nëntorit që përkon me 80-vjetorin e çlirimit të Tiranës. Pas këtyre sulmeve, socialistët i janë përgjigjur ashpër, duke e cilësuar Berishën një “kryeballist” dhe “adhurues të Hitlerit dhe Musolinit”.

Kështu deputeti i Partisë Socialiste dhe një ndër zërat më të fuqishme të mbrojtjes së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Petro Koçi, i cili ka reaguar ashpër pas deklaratave të bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputeti Koçi akuzon Berishën se është ballist. “Akuzat e Berishës ndaj luftës partizane, e vetëshpallin Sali Berishën një ballist. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte patriotike dhe shpëtimtare për tërësinë territoriale të Shqipërisë. Është e vërtetë që veglat bashkëpunëtore të nazistëve u përpoqën ta kthenin luftën çlirimtare në luftë civile, por këtë nuk e lejoi populli shqiptar dhe nacionalistët e vërtetë të LANÇ.

Që të bëheshe antikomunist pas vendosjes së regjimit, kjo kishte kuptim, por të luftoje komunizmin dhe jo pushtuesin kur Shqipërinë e sundonte çizmja naziste, këtë nuk ka idiot që ta quajë nacionalizëm. Tradhtia nuk justifikohet dot me antikomunizëm. Tradhtia balliste u bë faktor themelor në vendosjen e pushtetit komunist pas luftës. Dhe nëse bashkëpunëtorët e nazifashizmit do t’i konsideronim nacionalistë, atëherë do duhej t’i shkulnim nga varret gjithë dëshmorët 20 e pak vjeçarë të Luftës së Dytë Botërore dhe aty të vendosnim bustet e Hitlerit dhe Musolinit si heronjtë e adhuruar antikomunistë të Sali Berishës.

LANÇ-it i merr të keqen Sali Berisha si komunist dhe si antikomunist. Populli shqiptar ka qenë dhe mbetet antifashist. Rroftë 17 Nëntori kuqezi”, deklaroi Koçi.