Sa herë ke parë një ëndërr ku po të ndjekin dhe je zgjuar me zemrën që të rreh fort, gjithë djersë dhe ndoshta edhe i shqetësuar? Mos u shqetëso, nuk je vetëm! Ëndrrat ku të ndjekin janë ndër më të zakonshmet dhe përsëriten shpesh për shumë njerëz. Por çfarë kuptimi kanë këto ëndrra? A po të ndodh diçka në jetën e vërtetë që po të bën të ndihesh kështu? Le t’i hedhim një sy domethënies së ëndrrave të tilla.
Pse ëndërron që po të ndjekin?
Sipas ekspertëve të analizës së ëndrrave, ëndrrat ku ndihesh i ndjekur shpesh nuk lidhen me një kërcënim të mirëfilltë, por më shumë me ndjenja, situata ose probleme që po i shmang. Këto ëndrra janë një reflektim i asaj që po ndodh brenda teje, në mendjen dhe ndjenjat e tua, edhe nëse nuk je plotësisht i ndërgjegjshëm për to. Lauri Loewenberg, një eksperte e njohur për analizën e ëndrrave, thotë se kur ëndërron që po të ndjekin, shpeshherë është një shenjë që po shmang një problem në jetën e përditshme që ka nevojë për vëmendjen tënde.
Në vend që të përballesh me problemin, je duke “vrapuar” larg tij dhe kjo është arsyeja pse ëndrrat sikur dikush po të ndjek janë kaq të zakonshme dhe përsëriten shpesh. Ky është një mesazh nga nënvetëdija jote që diçka duhet të zgjidhet dhe që shmangia nuk është zgjidhja.
Interpretimet më të zakonshme të ëndrrave ku po të ndjekin
Ka disa skenarë të zakonshëm që mund të shfaqen në ëndrrat e tua ku po të ndjekin dhe secili ka një kuptim të caktuar.
Ja disa nga interpretimet e mundshme:
Të ndjek dikush me thikë: Kjo mund të simbolizojë se po shmang të largosh dikë nga jeta jote. Ndoshta ke frikë të marrësh vendime të vështira në marrëdhëniet e tua.
Të ndjek dikush me armë: Ky skenar tregon se ndihesh nën presion të madh ose “nën shënjestër”. Mund të jetë simbol i stresit nga kritika ose presioni i dikujt që po ndikon tek ti.
Të ndjek një qen: Në ëndrrat tona, qentë shpesh përfaqësojnë të dashurit tanë. Nëse një qen po të ndjek, ka të ngjarë që një marrëdhënie ose miqësi po të krijon stres dhe je duke e shmangur zgjidhjen.
Të ndjek një gjarpër: Ky simbol zakonisht tregon një person toksik që po përpiqesh ta shmangësh në jetën tënde. Gjarpërinjtë shpesh lidhen me ndjenja të pabesisë ose mashtrimit.
Të ndjek një peshkaqen: Krijesat me gojë të madhe dhe dhëmbë të fortë shpesh simbolizojnë dikë në jetën tënde që ka gjuhë të ashpër ose komente që të “copëtojnë”. Nëse nuk e përballon këtë person, do të të “gëlltisë” emocionalisht.
Pse këto ëndrra përsëriten?
Nëse vazhdon të ëndërrosh të njëjtin skenar ku po të ndjekin, atëherë ka shumë gjasa që po përjeton një situate të përsëritur në jetën tënde reale. Loewenberg shpjegon se këto ëndrra zakonisht ndodhin kur ne shfaqim sjellje të shmangies ndaj një problemi ose një konflikti.
Në thelb, sa herë që ti zgjedh të “ikësh” nga një sfidë në vend që ta përballosh, ëndrra do të kthehet për të të kujtuar se je duke shmangur vazhdimisht një përgjegjësi. Kjo është një thirrje që të përballesh me problemin dhe ta zgjidhësh në vend që të vazhdosh ta anashkalosh.