Pavarësisht temperaturave të pazakonta për stinën e vjeshtës, gripi tashmë ka ardhur. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon zyrtarisht izolimin e rasteve të para me gripin e stinës.
Tipi A dhe nënvariantet AH3N2 dhe AH1N1 janë në qarkullim në popullatën tonë, ashtu si edhe në vendet fqinjë. Shefja për sëmundjet infektive në ISHP, Silva Bino, deklaron se aktualisht nuk ka raste të rënda me grip dhe se këto nëntipe kanë qenë të pranishme edhe vitet e tjera.
Sa i përket situatës epidemiologjike, ekspertët e shëndetit publik thonë se edhe ky dimër do të jetë i ngarkuar nga qarkullimi i gripit, COVID-it, RSV-së dhe shumë virozave respiratore njëkohësisht.
Bino bën apel për popullatën, veçanërisht për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, që të kryejnë vaksinën e gripit për të shmangur format e rënda të sëmundjes, edhe nga mbivendosja e mundshme me viruse të tjerë.
Prej javësh vaksina e gripit ndodhet në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit dhe aplikohet falas për të moshuarit dhe kategoritë e rrezikut. Në vaksinën e këtij viti ndodhen edhe shtamet e tipit A të gripit, tashmë në qarkullim edhe në vendin tonë.