Liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë reaguar ndaj shpalljes së fitores nga republikani Donald Trump, në garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris. Trump e ka uruar për fitoren e pretenduar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përmes një shkrimi në Facebook.

“Ne shpresojmë që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformën demokratike”, shkroi Mickoski.

Ndërkohë, president i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, tha se SHBA-ja dhe Mali i Zi janë partnere të palëkundura dhe se janë të angazhuara për përmirësimin e demokracisë, sigurisë, stabilitetit dhe lirisë.

“Si aleatë në NATO, mezi presim bashkëpunim të ngushtë me administratën tuaj për të forcimin e miqësisë sonë dhe thellimin e bashkëpunimit”, tha Milatoviç në X.

I lumtur me fitoren e pretenduar të Trumpit u shpreh kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, i cili tha se “më e mira ende nuk ka ardhur për dy vendet tona”.

“Jam i emocionuar nga fakti që 61 për qind e amerikanëve besojnë se ditët më të mira të SHBA-së ende nuk kanë ardhur. Ky është sekreti i suksesit të këtij vendi dhe arsyeja pse ai do të fitojë në çdo rrethanë”, tha Spajiç.

Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviç, gjithashtu dërgoi një mesazh urimi për Trumpin duke thënë se kjo “do të jetë një mundësi për të forcuar miqësinë dhe partneritetin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bosnje dhe Hercegovinës”.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është me rëndësi të madhe për ruajtjen e stabilitetit dhe vazhdimin e proceseve demokratike që do të mundësojnë integrimin e suksesshëm të Bosnjë dhe Hercegovinës në një anëtarësi të plotë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, shtoi ai.

Këtyre urimeve u është bashkuar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i cili shtoi se “mezi pres bashkëpunimin tonë dhe përparimin e mëtejshëm në marrëdhëniet kroato-amerikane”./ REL